Lajme

Qeveria: Vizita e William Burns, dëshmi e marrëdhënieve të forta me SHBA-në

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka pritur në takim Drejtorin e CIA-s, William Burns.

Sipas komunikatës së Qeverisë, kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – ShBA, ku u theksua përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n.

Kjo vizitë e Drejtorit të CIA-s është vlerësuar lartë nga Qeveria e Kosovës, ku është theksuar dëshmia e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy vendeve.

“Vizita historike e Drejtorit të CIA-s, z. William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, thuhet në komunikatë.

Derisa, Kurti e ka falënderuar Drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe ka shpreh përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.

“Kryeministri Kurti e falënderoi Drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke e njoftuar atë që vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura Euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë”, thuhet ndër të tjera.

Ndryshe, i pari i Qeverisë e ka njoftuar Burns për rritjen dhe zhvillimin ekonomik, si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës.

“Kryeministri Kurti e njoftoi Drejtorin Burns me rritjen dhe zhvillimin ekonomik si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës, duke theksuar që të gjitha sfidat e brendshme të sigurisë po menaxhohen suksesshëm me forcën e ligjit të drejtë të shtetit tonë demokratik. Në këto tri vitet e fundit, ai shtoi që Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33% kurse buxheti shtetëror për 35%, me ç’rast 11.1% (apo 1/9) e buxhetit vjetor i dedikohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes”, thuhet në komunikatë./teve1.info/