Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorolli, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, se Serbia dhe Shqipëria kanë arritur një marrëveshje në parim për hapjen e përfaqësive konsullore në Shkodër dhe Bujanoc.
“Bujanoci, së bashku me Preshevën dhe Medvegjën, përbën rajonin e njohur si Lugina e Preshevës, ku jeton komuniteti më i madh i shqiptarëve etnikë në Serbi, jashtë Kosovës. Nëse është e vërtetë se qeveria e Edi Ramës po e çel derën për një konsullatë serbe në Shkodër, atëherë ky veprim nuk mund të kamuflohet mbrapa retorikës së një ‘akti diplomatik’. Kemi të bëjmë me thikë pas shpine për Kosovën”, deklaroi ai.
Qorolli vlerësoi simbolikën historike të Shkodrës, duke theksuar se qyteti ka dhënë disa prej figurave më të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare, si Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Migjeni dhe Pashko Vasa.
Sipas tij, diplomacia nuk mund të ndërtohet duke anashkaluar të kaluarën dhe plagët e luftës në Kosovë.
“Serbia nuk ka nevojë të rehabilitohet në Shkodër. Nëse kërkon rehabilitim, le ta nisë me pranimin e përgjegjësisë për krimet në Kosovë, me kërkimfalje dhe me drejtësi për viktimat. Vetëm atëherë diplomacia fiton kuptim. Përndryshe, çdo hap i tillë drejt ligjësimit diplomatik të Serbisë në zemër të Shkodrës mbetet një vrasje ndaj kujtesës sonë kombëtare”, u shpreh ai.
Konsullatë serbe në Shkodër e shqiptare në Luginën e Preshevës, vjen reagimi i Hoxhës
