Lajme

Qytetarët e Tiranës sensibilizohen për dhunën në kopshtin privat dhe mbushin rrugët

Qindra qytetarë të kryeqytetit i janë bashkuar pasditen e kësaj të enjteje protestës së thirrur për të dënuar dhunën e ndodhur në kopshtin privat “Stinët”, në ditët e para të Nëntorit. Ngjarja u tentua të fshihej, por emisioni “Stop” tregoi me zë dhe figurë dhunën e edukatores ndaj 3 vjeçares.

Siç shihet nga këto pamje të publikuara nga Newsbomb.al, pjesëmarrja ka qenë e jashtëzakonshme sot, me familjarë, intelektualë dhe vogëlush që qëndronin dorë për dore me prindërit përgjatë gjithë marshimit.

“Mos përfito nga fakti që unë nuk mbrohem dot”, “Mos m’i prek fëmijët”, “Ky nuk është sistem i Arsimit, por sistem i krimit”, ishin disa nga mesazhet e pankartave që mbanin në dorë qytetarët që dolën në protestë dhe marshuan nga kopshti në zonën e “Ali Demit” drejt Ministrisë së Brendshme.

Në të njëjtën kohë me protestën, Prokuroria e Tiranës ka njoftuar caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për edukatoren Majlinda Dehima, për veprën penale “Keqtrajtim i të miturit”, pasi akuzohet se ka dhunuar dhe dyshohet se i ka thyer këmbën një vajze 3 vjeçe që ndodhej në kopshtin “Stinët”.

Kjo masë sigurie është ekzekutuar po pasditen e sotme nga Policia e Tiranës, e cila ka vënë në pranga edukatoren.

Lidhur me këtë ngjarje reagoi edhe Ministria e Arsimit, që pas verifikimeve të kryera rezultoi se kopshti “Stinën” ishte i palicensuar e për rrjedhojë u bë mbyllja e këtij institucioni parashkollor që kishte lulëzuar në mes të Tiranës, edhe nga neglizhenca e autoriteteve.