Lajme

Qytetarët për zgjedhjen e presidentes: Është krijuar stabilitet politik

Zgjedhja e Justina Shiroka Pulës presidente e Kosovës është vlerësuar nga qytetarët si një hap që ka krijuar stabilitet politik dhe ka hapur rrugën për trajtimin e çështjeve të tjera me të cilat përballet vendi.

Për KosovaPress, qytetarët kanë folur edhe për nevojën e konsensusit dhe kompromisit në politikë, Ligjin për Dhomat e Specializuara, si dhe qëndrimet e partive politike pas zhvillimeve të fundit.

Qytetari, Fehmi Pireva ka thënë se Kuvendi dhe Qeveria kanë bërë zgjidhje të mirë duke i përmbyllur çështjet që, sipas tij, kanë qenë urgjente.

“Mendoj që Kuvendi dhe Qeveria kanë bërë një zgjidhje të mirë, në një mënyrë, duke e kaluar ligjin, por edhe zgjedhjen e presidentes si dy pika që kanë qenë urgjente, për shkak të afatit të shkurtër, sidomos për zgjedhjen e presidentes. Është krijuar një stabilitet politik, është hapur rruga që të shtrohen edhe probleme të tjera në të ardhmen, pasi që me kohë jemi vonuar. Ka disa vite që mbajmë zgjedhje. Mendoj që presidentja, në aspektin personal, të përvojave, qëndron mirë. Mendoj se ka një qëndrim unifikues me faktorët e skenës politike. Tash e tutje duhet të fillohet të punohet.”

Ndërkaq, një qytetar tjetër, Franklin Sedaj ka theksuar rëndësinë e konsensusit dhe kompromisit për funksionimin e demokracisë dhe institucioneve.

“Po flas në cilësinë e juristit dhe shkrimtarit që dua ta shoh mirë këtë vend. Dy nocione që nuk janë kuptuar sa duhet janë konsensusi dhe kompromisi. Këto janë formulat mbi bazën e të cilave funksionon demokracia. Përderisa ne nuk dimë ta zhvillojmë ecurinë e politikës mbi konsensusin dhe kompromisin, ne do të përballemi gjithmonë me pasoja. Sa më shpejt që i mësojmë këto formula të funksionimit të demokracisë dhe shoqërisë demokratike, do të kemi institucione stabile dhe një shtet të qëndrueshëm”, tha ai.

Një tjetër qytetar ka komentuar zgjedhjen e presidentes, Ligjin për Dhomat e Specializuara,  si dhe qëndrimin e LDK-së.

“Po, është e duhura. Pse jo, akademike, përvojë të madhe të punës. Për Ligjin e Speciales ka kaluar, LDK-ja ka treguar fytyrën e saj, e bëfshin me shëndet.”

Për presidenten e re, Justina Shiroka Pula, ai ka thënë se është figurë e qëlluar dhe e kulturuar.

“Justina Shiroka Pula është shumë e qëlluar, është e kulturuar shumë. E kam frikë që nuk mund ta zbatojë detyrën e presidentit, duhet të jetë më energjike.

Kurse për Ligjin për Dhomat e Specializuara u shpreh skeptik.

Jam i bindur që Haga nuk do ta zbatojë Ligjin për Dhomat e Specializuara të Hagës. Drejtësia është e verbër, nuk është gjithmonë e qëlluar.

Ndërkohë edhe qytetari, Gani Ademaj ka komentuar zhvillimet pas zgjedhjes së presidentes, duke e cilësuar këtë si fitore për Partinë Demokratike të Kosovës.

“Kjo është një fitore e Partisë Demokratike, pas tërë asaj gjurullie që e bëri. Të paktën e nxori presidentin, por duhej të ishin marrë vesh më herët”, tha qytetari.

Ai shtoi se Ligji për Dhomat e Specializuara është përdorur për lojë politike, dhe se personat qe janë në Hagë do te përgjigjen vet për fatin e tyre, pasi  që siç thotë ai, UÇK-ja nuk është organizatë kriminale.

“Ligji për Dhomat e Specializuara është një lojë politike. UÇK-ja nuk është organizatë kriminale dhe, për fatin personal të tyre, ata do të përgjigjen vetë. Ne nuk mund të bëjmë asgjë. Ligji s’ka pasur asnjë efekt, vetëm efekt negativ. Një gabim shumë i madh me tërë këto protesta”

Qytetari tha se LDK-ja ka pasur arsyet e veta për të mos u përfshirë në atë që e cilësoi si “lojëra politike”, ndërsa sipas tij, nga kjo situatë më së shumti ka përfituar Lëvizja Vetëvendosje.

“LDK-ja nuk ka dashur të hyjë në lojë. LDK-ja ka arsye të mos hyjë në këto lojëra politike për 16 shtatorin. Më së shumti nga kjo situatë ka përfituar Vetëvendosja. Krejt këta e kanë përcjellë dhe e kanë ditur që, kur don, mund t’ua bëjë gol këtyre” tha qytetari.

Të Ngjashme