Fluks i shtuar i automjeteve po vazhdon të raportohet në disa pika të kalimit kufitar të Kosovës, me pritje më të theksuara në disa vendkalime për dalje nga vendi.
Sipas të dhënave të fundit për gjendjen në kufi, pritjet më të gjata janë regjistruar në pikën kufitare Jarinjë, ku për dalje nga Kosova qytetarët po presin deri në 120 minuta.
Kolona ka edhe në pikën kufitare Dheu i Bardhë, ku pritjet për dalje arrijnë deri në 40 minuta, ndërsa në Merdarë automjetet po përballen me pritje nga 20 deri në 30 minuta.
Në pikat tjera kufitare situata paraqitet më e qetë. Në shumicën prej tyre, pritjet për hyrje dhe dalje janë nga 3 deri në 5 minuta, ndërsa në Han të Elezit për dalje pritjet janë nga 5 deri në 10 minuta.
Autoritetet kufitare vazhdojnë monitorimin e fluksit të automjeteve, ndërsa qytetarëve u kërkohet të kenë kujdes gjatë udhëtimit dhe të llogarisin kohën e pritjeve gjatë kalimit të kufirit.

