Menaxhimi i mbeturinave, mungesa e ujit dhe energjisë janë ndër sfidat me të cilat përballen qytetet. Për adresimin e tyre kërkohet bashkëpunim ndërmjet disiplinave të ndryshme dhe zhvillimi i zgjidhjeve për qytete të mençura.
Këtë e theksoi rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, në ceremoninë e përmbylljes së programit ndërkombëtar të masterit “Be Smart in the City”, të mbajtur në Fakultetin e Arkitekturës.
Hajrullahu vlerësoi rëndësinë e këtij programi për planifikimin e integruar të qyteteve, duke theksuar se nuk mjafton vetëm të punohet shumë, por duhet edhe të punohet me mençuri.
“Ky program, ‘Be Smart in the City: Planifikimi i integruar ndërsektorial dhe menaxherial për qytetet e mençura’, është shumë modern dhe, do të thoja, jashtëzakonisht i përshtatshëm për kohën në të cilën jetojmë. Ideja nuk është vetëm të punojmë shumë, por edhe të punojmë me mençuri. Duke parë zhvillimin e madh dhe shumë intensiv të qyteteve, mendoj se është jashtëzakonisht e nevojshme që disiplina të ndryshme shkencore të bashkohen për ta bërë jetën dhe mënyrën e të jetuarit më njerëzore, në një kohë kur përballemi me sfida të shumta, si mungesa e burimeve, përfshirë ujin dhe energjinë, si dhe problemet me mbeturinat në zonat urbane. Për këtë arsye, kemi vërtet nevojë të ndërthurim më shumë se një disiplinë dhe të bashkëpunojmë për të gjetur zgjidhje që u përgjigjen nevojave të qyteteve dhe qytetarëve.” tha ai.
Kurse Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Agron Bajraktari, ka vlerësuar se Kosova ka mundësi të mira për të zhvilluar zgjidhje inovative në fushën e qyteteve të mençura, përmes bashkëpunimit ndërmjet universiteteve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Ai theksoi se është e rëndësishme që marrëveshjet e arritura ndërmjet institucioneve të mos mbeten vetëm në letër, por të konkretizohen përmes projekteve dhe rezultateve në praktikë.
“Si vendi më i ri në Evropë, Kosova ka mundësi shumë të mira për ta zbatuar këtë program dhe për të bërë gjëra që vendet e tjera, me një traditë shumë më të gjatë, mund të mos arrijnë t’i realizojnë. Bashkëpunimi ndërmjet universiteteve tona dhe përvoja italiane në fushën e qyteteve të mençura krijojnë mundësi të mira për të arritur rezultate konkrete. Është e rëndësishme që marrëveshjet të mos mbeten vetëm në letër, por të zbatohen në praktikë”, tha Bajraktari.
Programi ndërkombëtar i masterit ‘Be Smart in the City’ fokusohet në planifikimin e integruar ndërsektorial dhe menaxherial për qytetet e mençura.”
