
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Bsha ka zhvilluar pasditen e sotme një takim me demokratët e degës 11 në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se PD mbështet plotësisht SPAK-un, teksa tha se kryeministri Edi Rama është bërë pishman për drejtësinë e re.
“Lufta për interesa personale për dy vite brenda PD, ka ardhur me një faturë shumë të madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Një pjesë prej nesh e ka përjetuar atë kohë kur Shqipëria nuk kishte opozitë. Ne nuk mund dhe nuk duhet të kthehemi në atë kohë. Tani që hetimet e SPAK po rrëzojnë njeri pas tjetrit, i janë turrur për ta sulmuar. Dhe kjo nuk është kohë për dilema, por për qëndrime të qarta: e mbështesim apo jo drejtësinë.
Përballë kemi një kastë politikanësh që për 33 vite nuk kanë pyetur për ligjin. Ndaj, këta politikanë duhet t’i pyesim: Duhet apo nuk duhet ta mbështesim SPAK-un? Tani që drejtësia ka nisur të veprojë, duhet apo nuk duhet ta mbështesim SPAK-un. E kuptojmë Edi Ramën që është bërë pishman për drejtësinë e re. A nuk është kjo koha që opozita t’i qëndrojë në krah për të vënë para ligjit pandëshkueshmërinë. Si mund të jesh kundër drejtësisë, kur je kundër korrupsionit? PD e ka zgjidh këtë dilemë, 100% në mbështetje të SPAK-ut dhe drejtësisë”, tha Basha.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo