Lajme

Rama ndan lajmin e mirë për mbi 30 mijë mësues: Do të keni rritje page

Kryeministri Edi Rama mëngjesin e kësaj të premte e ka nisur duke ndarë një lajm të mirë për mësuesit.

Përmes një positmi në rrjetet sociale, kryeministri Ram ka bërë me dije se me buxhetin e ri për vitin e ardhshëm do të ketë një rritje page për mbi 30 mijë mësues të cilët mësojnë dhe edukojnë nxënësit në shkolla.

“MIRËMËNGJES dhe me lajmin e mirë se me buxhetin e ri për vitin e ardhshëm do të ketë një rritje domethënëse të pagave për mbi 30 mijë mësues, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Më herët ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu prezantoi në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, projektligjin “Për Buxhetin e Vitit 2024” për arsimin dhe sportin, i cili parashikohet të arrijë në vlerën e 52 miliardë e 223 milionë lekëve.

Gjithashtu ministrja tha se në buxhetin e vitit të ardhshëm parashikohet një rritje page për mësuesit, si dhe për punonjësit psiko-socialë dhe oficerët e sigurisë në shkolla.

“Buxheti 2024 do të mbështesë rritjen e pagave mbi 30 mijë mësues në shërbim të rreth 300 mijë nxënësve që ndjekin arsimin publik dhe 1,700 mësuesve ndihmës, në mbështetje të fëmijëve me aftësi të veçanta, për rritjen e nivelit të tyre akademik, ndërkohë që është parashikuar që ky numër të shtohet me 100 punonjës të rinj. Gjithashtu do të garantohet mbështetje për 850 punonjës psiko-socialë dhe 220 punonjës oficerë sigurie në shkolla”, tha ministrja.