Kuriozitete

Rama për “Tirana Fountain Tower”: Projekti do të ndikojë në rigjenerimin e zonës

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në prezantimin e pesë projekteve finaliste në konkursin ndërkombëtar për “Tirana Fountain Tower”, projekt që parashikohet të zhvillohet në zonën e ish-Bllokut, në perimetrin e pronës private.

Rama theksoi se bëhet fjalë për një projekt të sipërmarrjes private, ndërsa konkursi ndërkombëtar synon të ofrojë mundësi për një zgjedhje sa më të gjerë mbi mënyrën se si do të rikonceptohet zona e “Parkut Rinia”.

Kryeministri mbrojti gjithashtu përfshirjen e arkitektëve ndërkombëtarë në projekte të rëndësishme urbane në Shqipëri, duke deklaruar se kjo është një qasje që, sipas tij, i shërben jo vetëm zhvillimit aktual, por edhe të ardhmes së vendit.

“Jo pak projekte të tjera ky është një projekt i sipërmarrjes private në një pronë private për arsye që do të zhvillohet në perimetrin e pronës private aty ku në kushtet që duhet rindërtuar por nga ana tjetër rindërtimi do të ketë një impakt tjetër në hapësirën përreth. Po zhvillojmë një konkurs ndërkombëtar duke ja besuar në radhë të parë një mundësie zgjedhje të gjerë vendimin për cila do të jetë mënyra se si do rikonceptohet ‘Tajvani”, dhe nga ana tjetër duke besuar shumë fortë me arkitektët që i janë vënë në dispozicion kësaj sfide do të kemi mundësinë të bëjmë një zgjedhje e cila të jetë më e mira e mundshme e kësaj prone por edhe për kryeqytetin”, u shpreh kryeministri.

Rama iu referua edhe kritikave të ngritura ndaj projekteve arkitekturore dhe konkurseve ndërkombëtare, duke thënë se një pjesë e opinionit publik dhe medias ka qenë kritike ndaj kësaj qasjeje.

Ai nënvizoi se vendimmarrja në konkurset ndërkombëtare bëhet nga juritë profesionale dhe se shumica e anëtarëve të tyre janë arkitektë dhe profesorë akademikë.

“Nuk mund të rri dot sot pa thënë se unë vazhdoj të besoj se rruga që kemi zgjedhur për të ftuar në Shqipëri dhe për të përfshirë në këtë fazë historike ambicie të mëdha arkitektësh ndërkombëtar jo vetëm që është rruga më e mirë për të sotmen por edhe për të nesërmen. Dhe duke qenë se kjo rrugë është vënë nën agresionin e një pjese të caktuar të opinionit apo edhe nën një pjese të agresionit të medias së interesuar ndërkombëtare dua të ndaj me ju disa shkëmbime që kemi pasur në ditët e fundit më një gazetar që paraqitet si një kritik i arkitekturës i cili kishte çuar një sërë pyetjesh që në këndvështrimin tim janë të pabesueshme nga sipërfaqësia por edhe nga mendjelehtësia që janë ndërtuar. Nuk është ai fajtori por është këndvështrimi i mënyrës së të parit të diçkaje të jashtëzakonshme që po ndodh në Shqipëri”, tha Rama.

Duke folur për ndërhyrjen në zonën e parkut, Rama tha se çdo zhvillim i ardhshëm duhet të marrë në konsideratë historikun dhe karakteristikat e hapësirës, duke synuar rigjenerimin e saj.

Sipas tij, në perimetrin e përcaktuar nga konkursi, çdo projekt i përzgjedhur do të duhet të kontribuojë në rivlerësimin dhe rigjenerimin e parkut, pa cenuar elementët natyrorë ekzistues.

“Nëse ka vendim marrje transparente dhe të bëra me një ndjenjë përgjegjësie janë pikërisht vendimmarrjet e këtyre konkurseve ku shumica e jurisë janë arkitekt, janë profesor akademik të njohur të cilët janë të lirë të vendosin për projektet dhe ku siç e tregojnë të gjitha shënimet e jurive nga ana e palës shqiptare që është në minorancë nuk ka një ndikimi mbi jurinë për të marrë një vendim ndryshe nga ai profesional. Në rastin e parkut jemi përball një historie por nga ana tjetër jemi para asaj cope ku gjatë historisë ka pasur një transformim qysh në kohën e komunizmit dhe më pas zhvillimi ekonomik në kushtet e ekonomisë tregut solli një transformim të ri. Është shumë e qartë në perimetrin e përcaktuar nga konkursi që çfarëdo që do të vendoset do të duhet të rivlerësoj dhe të ndikoj në rigjenerimin e vet parkut pa prekur asgjë që natyra ka si prani po duke shtuar”, theksoi ai.

/rtsh.al/

Të Ngjashme