Në ciklin e podcasteve “Obeziteti, le të flasim për të”, mjekja endokrinologe Renta Sanxhaku ka shpjeguar se uria është një proces kompleks, i ndikuar nga sistemi tretës, truri dhe një sërë hormonesh, ndërsa dallon mes urisë fizike dhe asaj psikologjike.
Sipas saj, ndjesia e urisë nuk lidhet vetëm me nevojën për ushqim, por përfshin një ndërveprim të ndërlikuar neuro-hormonal. Në këtë proces marrin pjesë edhe hormone si leptina, grelina, kolecistokinina dhe peptide të ndryshme.
“Uria është shumë komplekse dhe ndahet në dy klasa madhore: uria fizike dhe ajo psikologjike”, shpjegon Sanxhaku.
Si dallohet uria fizike?
Sipas mjekes, uria fizike lidhet me një nevojë reale të organizmit për ushqim. Ajo mund të shoqërohet me ndjesinë e boshllëkut në stomak dhe zakonisht qetësohet pasi konsumojmë një vakt normal, në përputhje me nevojat e trupit.
“Uria fizike është e vërtetë, që do të thotë individi ndjen një ndjesi boshllëku në stomak dhe i kërkon të hajë. Kjo ndjesi boshllëku eliminohet pasi ha një vakt normal që i përshtatet kërkesave”, shprehet endokrinologia.
Kur bëhet fjalë për uri psikologjike?
Ndryshe nga uria fizike, uria psikologjike lidhet me komponentin emocional dhe me dëshirën për të konsumuar ushqim edhe në mungesë të një nevoje të drejtpërdrejtë fizike.
Sipas Sanxhakut, në këto raste ushqimi mund të lidhet me emocione të ndryshme dhe të përdoret si burim kënaqësie apo reagim ndaj gjendjeve emocionale.
“Uria psikologjike ka të bëjë me komponentin emocional, pra dëshira për të ngrënë ushqim. Ushqimi bëhet i mërzitshëm ose bëhet i këndshëm dhe kjo është më e vështirë për t’u menaxhuar”, thotë ajo.
Mjekja thekson se në rastin e urisë psikologjike përfshihet edhe sistemi nervor dhe komponentë të shëndetit mendor, duke e bërë menaxhimin e saj më kompleks./GSH
