Lajme

Ramadani akuzon Deharin: Ka vepruar si vegël e drejtpërdrejtë e Kurtit

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani ka kritikuar nga foltorja e Kuvendit kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar se po e çon vendin drejt kaosit dhe jostabilitetit institucional.

Ramadani ka thënë se, sipas tij, Kurti nuk ka pasur synim të krijojë institucione pas zgjedhjeve, por ta çojë Kosovën sërish drejt zgjedhjeve.

“Një person ka vendosur të luajë me shtetin dhe të krijojë kaos institucional e pastaj ta drejtojë shtetin sërish kah zgjedhjet”, ka deklaruar Ramadani.

Duke folur për situatën në Kuvend, ai ka përmendur tri çështje që i konsideron shkelje: afatet kushtetuese, interpretimet e Vetëvendosjes për afatet kohore dhe, siç tha ai, obligimin kombëtar, moral e qytetar për krijimin e institucioneve.

Ramadani ka kritikuar edhe kryesuesin e seancës konstituive, Avni Deharin, duke pretenduar se gjatë kësaj periudhe ka vepruar në përputhje me interesat e Kurtit.

“Ne e kemi të qartë që Dehari si kryesues gjatë kësaj kohe ka vepruar si vegël e drejtpërdrejtë e Albin Kurtit”, ka deklaruar ai.

Sipas Ramadanit, kaosi dhe jostabiliteti institucional përbëjnë një nga rreziqet kryesore për sigurinë kombëtare.

Ai ka thënë se deputetët duhet ta respektojnë betimin e tyre për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, duke shtuar se Aleanca, së bashku me PDK-në dhe qytetarët që, sipas tij, e duan shtetin e Kosovës, do të veprojë në mbrojtje të demokracisë dhe rendit kushtetues.

Të Ngjashme