Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian me shumicë e ka votuar raportin për Kosovën të mërkurën në Bruksel.
Raporti shpreh mbështetje të fuqishme për synimet e Kosovës për integrim në BE, përsërit kërkesën për njohjen e pavarësisë nga të gjitha shtetet anëtare, por shpreh keqardhje për ngërçin politik dhe polarizimet që po e shoqërojnë vendin edhe një palë zgjedhje, si dhe për rrezikun që Kosova, si pasojë e kësaj, të humbë mjete të konsiderueshme financiare.
Raporti është miratuar me 47 vota për, 19 kundër dhe tetë abstenime.
Raportuesi për Kosovën, Riho Terras, e ka konsideruar të rëndësishme që Kosova të ecën përpara drejt integrimit.
“Është e rëndësishme që Kosova të mbetet në rrugën evropiane dhe të ecë përpara me integrimin. Raporti i Parlamentit ofron një vlerësim objektiv dhe të drejtë të situatës së vendit. Ne po nxjerrim në pah çështjet që kanë nevojë për vëmendje të vazhdueshme, por gjithashtu duam të theksojmë zhvillimet pozitive, siç është hapja e Fondeve të Reformës dhe Rritjes dhe heqja e masave nga Komisioni”, ka thënë ai.
Raporti thekson se viti 2025 ka qenë i humbur për shkak të ngërçit politik dhe se edhe muajt e ardhshëm mund të humben për Kosovën për shkak të procesit të ri zgjedhor, në të cilin vendi shkon pas dështimit për të zgjedhur presidentin. Mjetet financiare nga Plani i Rritjes mund të humben pasi Kosova nuk do të jetë në gjendje t’i përmbushë kriteret e nevojshme brenda periudhës së caktuar kohore.
Autor i këtij raporti ishte eurodeputeti estonez Riho Terras. Në raport është vlerësuar fakti se zgjedhjet e vitit 2025 janë zhvilluar në mënyrë të rregullt, është përshëndetur formimi i qeverisë, por nuk është siguruar edhe kompromisi për zgjedhjen e presidentit.
“Mbështetet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022. Përsëritet thirrja për shtetet anëtare në Këshill që t’i bëjnë ftesë Komisionit Evropian për të dërguar pyetësorin pa vonesa të reja dhe të japë mendimin e bazuar në merita për aplikimin e vendit për anëtarësim në BE. Thërret Këshillin që të veprojë shpejt, përfshirë edhe duke i dhënë statusin e kandidatit kur kriteret përkatëse të jenë përmbushur”, thuhet në tekstin e aportit.
“Bëjmë ftesë për pesë vendet mosnjohëse, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës deri tash, që ta bëjnë këtë pa vonesa, për të mundësuar avancimin e Kosovës në baza të barabarta me kandidatët e tjerë”, thuhet në raport. Po ashtu, rikujtohet se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, më 22 korrik të vitit 2010, ka dhënë mendimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Pos raportit për Kosovën, u votua edhe raporti për Serbinë, ku i bëhet thirrja për progres në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili, sipas Parlamentit Evropian, duhet të rezultojë me njohjen e ndërsjellë.
Raporti i kërkon Serbisë që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare, pasi kjo bie ndesh me obligimet nga marrëveshja për normalizimin e raporteve. Ndërsa shprehet edhe një herë keqardhje për faktin se Milan Radoiçiq, udhëheqësi i sulmit terrorist në Banjskë, nuk është sjellë ende para drejtësisë.
Është mirëpritur edhe deklarata për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, e cila ndihmon në përballjen me kërcënimet hibride të sigurisë në rajon.
Raporti tani pritet të dalë për votim në Parlamentin Evropian.
