Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, deklaroi se Qeveria e Kosovës tani është më e gatshme për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këtë qëndrim e lidh me fitoren e Listës Studentore në zgjedhjet në Serbi.
Në një intervistë për Gazeta Express, të publikuar të publikuar mbrëmë, Rashiq tha se Asociacioni është detyrim që del nga marrëveshjet e arritura dhe se mbetet “në tryezë”. Sipas tij, nëse ai do të ecë përpara varet nga udhëheqësit e Kosovës.
Ministri e quajti momentin pothuajse historik dhe tha se ai mund t’i çojë raportet Kosovë–Serbi në një nivel tjetër. Për këtë kërkoi durim, tolerancë dhe mirëkuptim nga të gjitha palët.
Më e diskutueshme është pjesa për njohjen. Rashiq sugjeroi që njohja e Kosovës nga Serbia të mos jetë prioritet i menjëhershëm dhe të lihet përkohësisht mënjanë, që të hapet hapësirë për procese të tjera.
Deri në orën 10:00 të sotme, Zyra e Kryeministrit Albin Kurti nuk ka reaguar publikisht. Mbetet e paqartë nëse ministri foli në emër të Qeverisë apo dha qëndrim personal. Nuk ka pasur reagime as nga partitë opozitare.
Deklarata vjen disa ditë pasi Kryeministri Kurti shprehu shpresë për kthesë në Beograd pas rënies së Aleksandër Vuçiqit. Analistët e intervistuar nga Bota Sot janë skeptikë se qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës do të ndryshojë shpejt. Asociacioni është ndër pikat më të ndjeshme të dialogut. Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi në vitin 2015 se disa parime të tij nuk përputheshin me Kushtetutën.
