Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka bërë të ditur se seanca e radhës do të mbahet të enjten.
“Seanca do të mbahet ditën e enjte në orën 10:00“, tha Nagavci pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Nagavci ka folur edhe për kthimin e Ligjit për Specialen në Kuvend. Ka deklaruar se janë duke diskutuar me PDK-në si parti iniciuese e ligjit.
“Ne jemi dëshmitarë se presidentja e ka kthyer projektligjin. Në lidhje me letrën e presidentes, ka praktika edhe për këtë çështje. Ne jemi duke diskutuar me PDK-në, si partia iniciuese, dhe e kemi bërë të qartë se nuk është mirë të krijojmë një situatë të re mes presidentes dhe Kuvendit. Sa u përket çështjeve përmbajtjesore, besoj se do të arrijmë një pajtueshmëri. Ne e kemi të qartë se tashmë ka një aktgjykim të Kushtetueses dhe ka edhe dy raste të tjera që e bëjnë të qartë se ligji nuk mund të amandamentohet”, tha Nagavci.
