Shëndetësi

Rastet me kancer do të rriten mbi 75% deri në vitin 2050

Rastet me kancer në botë parashikohen të rriten me mbi 75% deri në vitin 2050, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Të dhënat e fundit nga OBSH-ja kanë theksuar ngritjen e lartë të numrit të rasteve, me 14.1 milionë raste të reja dhe 8.2 milionë vdekje në botë më 2012, në 20 milionë raste të reja dhe 9.7 milionë vdekje një dekadë më vonë. OBSH-ja parashikon se do të ketë më shumë se 35 milionë raste të reja të kancerit deri në vitin 2050, një rritje prej 77% nga nivelet e vitit 2022, dhe se vdekjet gati se do të dyfishohen që nga viti 2012 në më shumë se 18 milionë, raportoi The Guardian.

Sipas organizatës, pirja e duhanit, alkoolit dhe obeziteti janë faktorë kyç prapa rritjes së rasteve, si dhe plakja dhe shtimi i popullsisë.

Parashikon se shtetet me të ardhura më të larta do të regjistrojnë rreth 4.8 milionë raste të reja më 2050, por shtetet me të ardhura të ulëta do të përjetojnë rritjen më të madhe të rasteve. Agjencia për Kërkimin mbi Kancerin në kuadër të OBSH-së e cila mbulon 185 shtete dhe 36 lloje të kancerit, ka treguar se 10 lloje të kancerit llogariten për rreth 2/3 e rasteve të reja dhe vdekjeve në botë në vitin 2022. Kanceri i mushkërive është lloji më i diagnostikuar në botë, me 12.4% të rasteve të reja dhe 18.7% të vdekjeve. Kanceri i gjirit te gratë është lloji i dytë më i shpeshtë, por ndërsa llogaritet për 11.6% të rasteve, është shkaktar i më pak se 7% të vdekjeve.