Shemsi Llugaliu, i akuzuar për aksidentin e komunikacionit ku vdiq Laurent Krasniqi, ka thënë se nuk është në gjendje të deklarohet lidhur me fajësinë. Këtë deklarim e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Malart Kuçi.
Seanca gjyqësore lidhur me këtë rast ka nisur sot, nga ora 10:00, nën drejtimin e gjyqtarit Bujar Ahmeti.
Në fillim të seancës, avokati i të akuzuarit, Naim Rudari, ka kërkuar shtyrjen e saj, me arsyetimin se mbrojtja ka angazhuar një ekspert tjetër për përgatitjen e një ekspertize të re të komunikacionit dhe se do të deklarohet pasi të përfundojë ajo.
Prokurori e ka kundërshtuar këtë kërkesë, duke thënë se tashmë ekziston një ekspertizë e komunikacionit, e cila, sipas tij, përcakton qartë veprimet e të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata e ka refuzuar kërkesën për shtyrjen e seancës, duke theksuar se bëhet fjalë për seancë fillestare, në të cilën, sipas dispozitave ligjore, i akuzuari duhet të deklarohet lidhur me fajësinë ose pafajësinë.
Laurent Krasniqi, 29-vjeçar, i cili ishte bërë i njohur përmes reklamave dhe videove humoristike në mediat sociale, ka vdekur mbrëmjen e 2 shtatorit në një aksident komunikacioni.
Në këtë rast, palën e dëmtuar, Xheneta Krasniqi, e përfaqëson avokati Fanol Krasniqi.
Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.
