ShowBizzz

Rasti Onima, Gjesti dënohet me 2 vjet burgim me kusht dhe 6 mijë euro gjobë

Gjykata Themelore në Prishtinë pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, e ka dënuar me 2 vjet burgim me kusht dhe 6 mijë euri gjobë këngëtarin Besart Kelmendi i njohur si Gjesti, lidhur me akuzën për tri vepra penale “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

Aktgjykimi u shpall të hënën nga gjykatësja Edita Çanta, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Për veprën penale “Kanosje”, i akuzuari u dënua me 2 vjet burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri nuk kryen vepër penale brenda dy viteve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Për veprën penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, u dënua me 3 mijë euro gjobë. Kurse, për armëmbajtje pa leje, u dënua me 3 mijë euro gjobë.

Ndaj Gjestit, Gjykata shpalli dënim unik me 2 vjet burgim me kusht dhe 6 mijë euro gjobë.

Në dënimin me gjobë, i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

I akuzuari obligohet t’i paguajë shpenzimet e procedurës penale dhe atë për paushallin gjyqësor 50 euro dhe 20 euro të tjera për Fondin për Komepnsimin e Krimit.

Pala e dëmtuar u udhëzua në kontest të rregullt juridiko-civil. Ndaj këtij vendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh pas pranimit të aktgjykimit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 19 mars 2026 njoftoi se këngëtari Besart Kelmendi i njohur si Gjesti, ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë, andaj me kërkesë të prokurorit, atij iu ndërpe masa e paraburgimit.

“Ju njoftojmë se i pandehuri pasi që ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorin e Shtetit lidhur me veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Kanosja” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, ndaj të njëjtit kanë pushuar arsyet ligjore për të cilën ka qenë nën masën e paraburgimit. Andaj, prokurori i shtetit pranë gjykates kompetente ka bërë kërkesë për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj tij”, kishte konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 24 mars 2026, Besart Kelmendi i njohur si Gjesti, akuzohej se më 11 mars 2026, rreth orës 14:50 në Prishtinë, në zyrat e studios “Onima”, me qëllim që të dëmtuarit Erkand Shabani t’i ngjallë ndjenjën e frikës, e kanos për shkak të një borxhi paraprak.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri shkoi në zyrat e të dëmtuarit dhe me një pistoletë të cilën e mbante në dorë, i drejtohet stafit me fjalët “ku o se kam me vra” (duke nënkuptuar për të dëmtuarin Shabani), e më pas ky i fundit lajmërohet nga stafi. Me këtë rast, të dëmtuarit i ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetën.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181, par.4 lidhur me par.2 të Kodit Penal.

Gjithashtu, me datë, kohë dhe vendin e njëjtë si në dispozitivin e parë, i pandehuri Kelmendi akuzohej se me dashje, dhe me qëllim që të dëmtuarit Shabani t’i shkaktojë dëm material, pasi shkon në zyrat e “Onimas”, fillimisht e kërkon të dëmtuarin, mirëpo nuk e gjen aty e më pas në shenjë revolte lidhur me një mosmarrëveshje për pagesat e borxhit, i pandehuri i dëmton një kompjuter, dhe dy xhamat e studios, duke shkaktuar dëm material.

Me këto veprime, Kelmendi ngarkohej me veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 321, par.1 të Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në të njëjtën datë, Kelmendi ngarkohej se mbajti në posedim armë në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pasi kur kishte hyrë në studion “Onima” kishte në posedim pistoletën me një karikator dhe 14 fishekë, pa leje përkatëse na organi kompetent. Arma i është sekuestruar nga Policia.

Me këtë, akuzohej edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 13 mars 2026 kishte caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit nën dyshimin për tri vepra penale.

“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar më 13 mars 2026, se e gjithë ngjarja ka ndodhur pranë zyrave të studios “Onima”, e që shkak dyshohej të jetë mosmarrëveshja rreth një borxhi paraprak, ku këngëtari me armë në dorë ka shkuar në zyrat e studios dhe kërkoi të dëmtuarin, duke iu drejtuar stafit me fjalët “ku o se kam me vra”./BetimipërDrejtësi

Të Ngjashme