e publikuara së fundmi nga Milosh Medenica, i cili në një video të shpërndarë në Telegram përmend emrin e Boban Baçoviq si një nga autorët e vrasjes së gjashtë të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë më 14 dhjetor 1998, kanë rikthyer në vëmendje një nga rastet më të errëta dhe ende të pazbardhura të luftës në Kosovë.
Baçoviq, nga Nikshiqi i Malit të Zi, është përmendur në raportime mediatike si person me lidhje të mëhershme me Shërbimin e Sigurimit të Shtetit të Serbisë (RDB) dhe, në vitet e fundit, edhe me grupin kriminal “Shkaljari”.
“Boban Baçeviq njihet që nga vitet ’90 si person që ka punuar për ish-Shërbimin e Sigurimit të Shtetit (RDB). Konkretisht, në vitin 1998, kur konflikti në Kosovë u përshkallëzua, RDB-ja planifikoi të organizonte një sulm ndaj civilëve serbë, me qëllim që të siguronte legjitimitet për një ndërhyrje ushtarake. Ky mision, sipas këtij pretendimi, iu besua Boban Baçeviqit, i cili më 14 dhjetor 1998, së bashku me një person tjetër, me armë automatike vrau brutalisht gjashtë të rinj serbë në lokalin ‘Panda’, pesë prej të cilëve ishin të mitur, ndërsa njëri ishte në moshë madhore”, ka thënë Medenica, por megjithatë, këto pretendime nuk janë verifikuar nga autoritetet dhe deri më sot nuk ekziston një aktakuzë apo vendim gjyqësor që e lidh atë me rastin “Panda”.
Masakra në kafenenë “Panda”, ku u vranë gjashtë të rinj serbë dhe u plagosën 15 të tjerë, u përdor menjëherë nga regjimi i Slobodan Millosheviqit për t’ia atribuar përgjegjësinë shqiptarëve dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Megjithatë, me kalimin e viteve kjo narrativë u vu në pikëpyetje. Në vitin 2013, Aleksandar Vuçiq deklaroi publikisht se nuk kishte prova se krimin e kishin kryer shqiptarët, duke paralajmëruar se publiku serb do të “befasohej” nga e vërteta. Pavarësisht kësaj deklarate, hetimet e nisura nga Prokuroria për Krimin e Organizuar në Serbi nuk kanë prodhuar asnjë aktakuzë dhe rasti mbetet i pazbardhur.
Pikërisht mungesa e një epilogu gjyqësor ka ushqyer për vite me radhë dyshimet se vrasja mund të ketë qenë rezultat i një operacioni të organizuar nga struktura të shtetit serb. Në analiza, hulumtime gazetareske dhe raportime mediatike janë përmendur emrat e ish-zyrtarëve të lartë të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të Serbisë, përfshirë Jovica Stanishiq, Franko Simatoviq “Frenki”, Radomir Markoviq dhe Milorad Ulemek “Legija”. Këta emra janë përmendur në kontekst të pretendimeve dhe spekulimeve mbi rolin e mundshëm të strukturave të sigurisë, por asnjëri prej tyre nuk është akuzuar apo dënuar për rastin “Panda”.
Rasti “Panda” vazhdon të shihet nga shumë analistë dhe studiues si një shembull i dyshimeve për përdorimin e operacioneve të fshehta me qëllime politike gjatë luftës në Kosovë. Sipas këtyre analizave, një sulm i tillë do të shërbente për të krijuar perceptimin se shqiptarët po sulmonin civilët serbë, duke justifikuar operacionet ushtarake dhe policore të regjimit të atëhershëm të Beogradit. Megjithatë, këto mbeten interpretime dhe nuk janë konfirmuar përmes një procesi gjyqësor.
Përgjatë viteve, analistë të ndryshëm kanë tërhequr vëmendjen se raste të mëvonshme, si vrasja e politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanoviq apo sulmi i armatosur në Banjskë, janë raste ku janë përdorur strukturat paralele dhe grupet kriminale për arritjen e objektivave politike.
Përderisa nuk ka një vendim gjyqësor për masakrën në kafenenë “Panda”, rasti mbetet një nga plagët e hapura të luftës në Kosovë. Pretendimet e reja kanë rikthyer në fokus kërkesat për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për përcaktimin e përgjegjësisë institucionale për një krim që, edhe pas gati tri dekadash, vazhdon të mbetet pa autorë të identifikuar nga drejtësia.
