Qeveria ka përcaktuar rregulla të reja për kompensimin e punonjësve të Policisë së Shtetit që plagosen ose dëmtohen për shkak të detyrës, si dhe për mbështetjen e familjeve të efektivëve që humbin jetën në krye të saj.
Sipas vendimit, familjarët që jetonin me punonjësin në momentin e humbjes së jetës do të përfitojnë menjëherë deri në 10 paga mujore bruto. Përllogaritja do të përfshijë pagën për gradë, shtesën e vjetërsisë dhe shtesën për natyrën e veçantë të punës.
Policia e Shtetit do të organizojë gjithashtu ceremoninë mortore solemne dhe do të mbulojë shpenzimet e varrimit. Familja do të përfitojë çdo vit, në ditën përkujtimore, një ndihmë financiare të barabartë me një pagë mujore bruto të përditësuar.
Fëmijët e efektivëve të rënë në detyrë do të trajtohen me bursë të plotë në arsimin parauniversitar dhe atë të lartë, ndërsa familjarët do të përfitojnë pension suplementar familjar sipas legjislacionit në fuqi.
Një nga përfitimet kryesore është edhe strehimi falas. Bashkëshorti ose bashkëshortja dhe fëmijët, nëse janë të pastrehë, mund të përfitojnë banesa nga Enti Kombëtar i Banesave, projekte shtetërore, prona të konfiskuara ose banesa të blera nga Policia e Shtetit.
Deri në sigurimin e banesës, familjarëve do t’u kompensohet qiraja. Prona do të kalojë pa pagesë në bashkëpronësi të tyre, por nuk mund të shitet gjatë kohës që familja ka fëmijë të mitur dhe, në çdo rast, jo më herët se pesë vjet nga marrja e saj.
Familjarët e efektivit të rënë do të trajtohen gjithashtu me përparësi për punësim në strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në përputhje me arsimimin, përvojën dhe kriteret e vendit të punës.
Vendimi përcakton edhe masën e kompensimit për policët e plagosur. Efektivët e dëmtuar rëndë gjatë ose për shkak të detyrës do të përfitojnë deri në 8 paga mujore bruto, ndërsa të plagosurit ose të dëmtuarit lehtë deri në 4 paga.
Nëse punonjësi shpallet përkohësisht i paaftë për punë, ai do të marrë çdo muaj një kompensim të barabartë me pagën bruto të muajit të fundit, deri në rehabilitimin dhe rikthimin në detyrë. /skyweb.al
