Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka reaguar ndaj deklaratës së ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të Slobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”. Instituti vlerëson se kjo deklaratë rikthen në vëmendje vazhdimësinë e një diskursi të lidhur me politikat që çuan në luftë, spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.
“Krimet e kryera gjatë viteve 1998–1999 kanë qenë objekt i proceseve gjyqësore ndërkombëtare, ku udhëheqës të nivelit më të lartë politik, ushtarak dhe policor të regjimit të Millosheviqit u shpallën fajtorë për krime në Kosovë.
Megjithatë, edhe sot, zyrtarë të lartë të shtetit serb vazhdojnë të përdorin retorikë që relativizon ose normalizon politika që prodhuan mijëra viktima, dëbime masive, dhunë seksuale dhe zhdukje me dhunë. Ndërkohë, në Kosovë vazhdon puna për dokUmentimin e krimeve të kryera gjatë luftës. Në IKKL dokumentojmë faktet dhe dëshmitë me bindjen se ato janë themel për drejtësi, pranim të krimeve dhe kërkimfalje institucionale.
Sepse përballja me të kaluarën mbetet parakusht për ndërtimin e besimit dhe paqes së qëndrueshme në rajon”, thuhet në reagimin e Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
