Lajme

Rektori i Mjekësisë paraqitet në Gjykatën e Posaçme pas masës detyrim paraqitje

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, njëkohësisht shefi i kirurgjisë Arben Gjata është një nga personat e akuzuar për çështjen e koncesionit të sterilizimit, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “Detyrim paraqitje”, teksa sot GJKKO ka konfirmuar këtë masë.

Ndonëse urdhrat e arrestit u dhanë gjatë ditës së djeshme, Gjata është kthyer vetëm sot nga një vizitë jashtë shtetit.

Duket se Gjata ka qenë jashtë vendit dhe sot ka ardhur dhe është paraqitur menjëherë sot në GJKKO.

Pas përfundimit të seancës, Gjata nuk ka preferuar të flasë për mediat me justifikimin se është në masë sigurie dhe nuk mund të shkelë sekretin hetimor.

Gjata, në kohën kur u lidh koncesioni më dhjetor të vitit 2015 ka pasur detyrën e anëtarit të komisionit të koncesionit të sterilizimit.

BalkanWeb sjell si më poshtë dëshminë e Gjatës gjatë marrjes në pyetje pak kohë më parë nga SPAK, sa i takon kësaj çështje, të siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’. “Nga ajo çfarë kemi diskutuar në komision ka rezultuar se edhe nga ana ekonomike kjo ishte procedura më e favorshme.”, tha Arben Gjata.

Gjata shprehej se infeksionet spitalore, ishin arsyeja kryesore, se përse koncesioni ishte mënyra e vetme për të përmirësuar situatën në spitalet në vend dhe për të patur një shërbim me cilësor. Por asnjë prej anëtarëve nuk shpjegoi dot, sesi kostot u rritën dhe se përse ata nuk kishin mundur të parashikonin këtë gjë. “Nga eksperienca që kam në këtë fushë mënyra e procedimit me prokurim të zakonshëm mund të çonte në dështim. Do duhej që të gjitha shërbimet e parashikuara të prokuroheshin me procedura të veçanta. Përsa i përket prokurimit të instrumentarit, mesa jam në dijeni, procedura e fundit e prokurimit të tyre është bërë në vitin 2004. Kompanitë seriozë që ofrojnë cilësinë më të lartë nuk janë të interesuara për tregun shqiptar. Ndërsa koncesioni në fjalë tërhoqi një kompani serioze, siç ishte ajo që fitoi procedurën.”, theksoi Gjata.