Reperi me prejardhje shqiptare, Sin Boy ka rënë pre e një sulmi fizik të egër nga persona të maskuar, ndërsa ishte në një transmetim ‘live’ në rrjetin social TikTok. Incidenti ka ndodhur brenda një salloni flokësh në Athinë, qytet ku reperi aktualisht jeton.
Në videon që ka qarkulluar në internet, shihen të paktën dy burra të veshur në të zeza dhe me maska në fytyrë që futen në sallon dhe e sulmojnë papritur Sin Boy-n. Ata fillojnë ta grushtojnë dhe ta godasin me stol, çka bën që Sin Boy të rrëzohet në dysheme në përpjekje për të mbrojtur veten.
E gjithë kjo skenë e dhunshme është kapur në një video që më pas u bë virale në rrjetet sociale. Megjithatë, shumë përdorues në internet po spekulojnë mbi autenticitetin e sulmit, duke sugjeruar se videoja mund të jetë e inskenuar nga vetë reperi për të tërhequr vëmendje dhe për të rritur famën e tij.
Dyshimet u shtuan pasi, sapo sulmuesit largohen nga vendngjarja, Sin Boy ngrihet, duke u dukur i paqëndrueshëm por i gjallë, dhe menjëherë fillon të rregullojë flokët e tij – një veprim që shihet si jo i zakonshëm pas një incidenti të tillë të dhunshëm.
Sin Boy është i njohur në Shqipëri dhe Kosovë edhe për marrëdhënien e tij me këngëtaren e njohur kosovare, Rina Balaj.