ShowBizzz

Rikthehet ‘Njerëz dhe Fate’, aktorët zbulojnë ndjeshmëritë kur publiku i thërret pas 20 vitesh me emrat e personazheve

Ajo ishte ende studente në Akademinë e Arteve, kur iu besua që të luante rolin e Erës në serialin shqiptar “Njerëz dhe fate”. E ftuar në një program televiziv aktorja Eni Jani kthehet pas në nostalgjinë e kujtimeve të viteve 2000, teksa shton se rikthimi i filmit e ka lumturuar jashtë mase.

Pas 20 viteve Era e vogël dhe çapkëne është nënë e dy fëmijëve, ky është roli që aktorja luan në filmin “Njerëz dhe fate 2”. Duke e cilësuar si një dhuratë pjesëmarrjen e saj në serial, ajo shprehet se ende sot e kësaj dite njerëz e njohin dhe e quajnë “Era”.

Me sa duket, e njëjta gjë ndodh edhe me “thyesin e zemrave” të vajzave, Florin. Aktori Arben Derhemi tregon gjithashtu se për çudi shumë fëmijë dhe adoleshentë e njohin atë si “Flori i Njerëz dhe fate.”

PJESE NGA BISEDA

Eni Jani: Ka qenë një kohë shumë e bukur, unë për shembull e kam shijuar shumë. Unë isha akoma në Akademi dhe e shikoja si një gjë të pabesueshme, sepse akoma studente, mua mu tha një mundësi e tillë. Të të jepej mundësia në një serial që po bëhej për herë të parë dhe të ishe një personazh me jo pak peshë, për mua ishte një gjë e jashtëzakonshme, për mua ishte fat, e konsideroj fat. Normalisht e kam shijuar. Mbase sot do ta mendoja më tepër, do të isha me më shumë mendime, por në atë kohë unë e kam marrë si dhuratë dhe e kam shijuar si një të tillë.

Moderatorja: Si një shans që t’u dha në jetë.
Eni Jani: Dhe ashtu ka rezultuar vërtetë. Ka njerëz që më thërrasin Era sot e kësaj dite.
Moderatorja: Sa role keni interpretuar ju ndër kohë, prapë së prapë ai personazh që keni pasur atëherë dhe që keni përfaqësuar ka mbetur në mendjen e të gjithë publikut dhe iu identifikojnë ende me personazhin atje.
Arben Derhemi: Jo më larg se dje ishin disa fëmijë të vegjël atje tek semafori, mua nuk ma merrte mendja se ata do të më njihnin se ishin fëmijë të vegjël dhe moshë e vogël, ishin 6-vjeç, më thirrën “oooo Flori.”

Moderatorja: Dhe ty të është bërë refleks që sa herë të thërrasin Flori ti kthen kokën.
Eni Jani: Gjëja më e bukur është që sot e kësaj dite, sidomos tani që ka dalë dhe promo e filmit dhe më shkruajnë shumë vajza që më thonë; “Mua ma kanë vënë emrin Era nga filmi, dhe unë e kam ermin Era nga ai film.” Është shumë bukur kur të shkruajnë sepse impakti që ka pasur ai serial ka qenë aq i madh saqë dhe personazhe të ndryshëm t’i vënë emra tek fëmijët.