ShowBizzz

Rita Ora flet për thashethemet se ishte “Becky” në këngën e Beyonce-s

Rita Ora ka folur sërish për një prej thashethemeve më të bujshme që e ka ndjekur prej vitesh, atë që e lidhi me “Becky with the good hair”, personazhin misterioz të përmendur nga Beyoncé në këngën “Sorry”, në vitin 2016.

Spekulimet shpërthyen pasi fansat vunë re disa detaje në postimet e Ritës në rrjetet sociale.

Këngëtarja kishte publikuar një fotografi me të brendshme me motive limoni dhe një varëse që, në atë kohë, u interpretua nga fansat si një shkronjë “J”.

Teoritë morën edhe më shumë hov kur Rita u shfaq në një festë pas Met Gala-s me një karficë ku shkruhej “Not Becky”, duke bërë që interneti të ndizte edhe më shumë debatet.

Por Rita i ka mohuar vazhdimisht pretendimet se ishte ajo gruaja për të cilën Beyoncé këndonte në “Sorry”.

Duke folur së fundmi për këtë histori, Rita tha se edhe sot nuk e di se nga nisi gjithçka.

“Nuk e di kush e nisi gjithë atë dramë me Becky-n, por do të doja shumë të zbuloja se kush ishte”

Këngëtarja kujtoi gjithashtu një prej detajeve që fansat e kishin përdorur si “provë” kundër saj: varësen.

Sipas Ritës, ajo nuk kishte një “J”, siç u pretendua në atë kohë, por një “R”.

Fotografia thjesht kishte bërë që varësja të dukej ndryshe.

“Ishte rastësi. As që e mendova, betohem”-u shpreh ajo.

Pavarësisht mohimeve të saj, historia u shndërrua në një prej teorive më të përfolura të kulturës pop të viteve të fundit, duke bërë që emri i Ritës të lidhej vazhdimisht me një këngë që nuk e përmendte kurrë drejtpërdrejt.

Rita theksoi gjithashtu se mënyra se si u trajtua gjithë historia i dha asaj një tjetër dimension.

Sipas këngëtares, situata u kthye në një narrativë “një grua kundër një gruaje”, edhe pse, në fund të fundit, asnjëra prej tyre nuk kishte asgjë për të fituar nga spekulimet.

Nëntë vite pas nisjes së teorisë, “Becky with the good hair” vazhdon të jetë një prej mistereve më të mëdha të muzikës pop.

Ndërsa Beyoncé nuk e ka konfirmuar kurrë publikisht identitetin e “Becky”-t, Rita Ora duket se ende do të donte vetëm një përgjigje: Kush e nisi në të vërtetë gjithë atë dramë?

Të Ngjashme