Lajme

Rita Ora valëviti flamurin serb në koncert, flet i riu: Ma mori nga dora, unë doja të bëja video për TikTok

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, u vu në qendër të kritikave pas koncertit që mbajti në Hungari. Shkak për këtë u bë flamuri serb, të cilin këngëtarja ia mori një fansi dhe hodhi mbi supe, teksa po këndonte para mijërave ndjekësve.

Fansi i cili quhet Borivoje, ka folur në një intervistë për Telegrafin e Serbisë, duke thënë se është hungarez por që nëna e tij është me origjinë serbe, nga ku i vjen edhe dashuria për flamurin e Serbisë. Mes të tjerave i riu ka thënë se nuk ia ka dhënë ai flamurin këngëtares.

“Kam lindur në Hungari, nëna ime është serbe, kam shkuar në festivalin SZIN dhe flamurin serb e mbaj gjithmonë me vete. E kam futur pa problem, në Szeged i duan shumë serbët dhe nuk kanë bërë asnjë problem”, ka thënë Borivoje për Telegraf.rs.

“Më befasoi edhe ajo, ma mori flamurin nga dora. Unë thjesht doja të bëja një video për TikTok. Askush tjetër nuk ishte me flamurin e Serbisë përveç meje”, ka shtuar i riu hungarez për mediumin serb.