Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të udhëheqë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pasi delegatët e Kuvendit të Jashtëzakonshëm i dhanë mbështetjen për një mandat të ri në krye të partisë. Votimi i së enjtes i dha fund përpjekjes për shkarkimin e tij, me 170 delegatë që u shprehën kundër largimit të Abdixhikut dhe 152 pro.
Rikonfirmimi i tij e bën Abdixhikun kryetarin e katërt në historinë e LDK-së që vazhdon drejtimin e partisë, në një periudhë të shoqëruar me debate të brendshme dhe përplasje rreth lidershipit dhe orientimit politik të saj.
Pas vendimit të Kuvendit, Abdixhiku u deklarua për herë të parë para mediave, ku falënderoi delegatët për besimin e dhënë dhe vlerësoi procesin si një dëshmi të demokracisë së brendshme në LDK.
Ai tha se përmes këtij votimi, delegatët nuk përcaktuan vetëm vazhdimin e udhëheqjes së tij, por edhe drejtimin programor të partisë për periudhën e ardhshme.
“Hera e dytë këtë vit, LDK dëshmoi demokraci maksimale. Delegatët e Kuvendit të LDK-së, në mënyrë demokratike, dhanë drejtim jo vetëm për lidershipin, por edhe për orientimin programor. Jam i lumtur për rezultatin dhe jam falënderues që konfirmuan rezultatin e janarit”, deklaroi Abdixhiku para mediave.
Ndërkaq, analistët politikë vlerësojnë se rizgjedhja e Abdixhikut i jep LDK-së mundësi për vazhdimësi, por sfida kryesore mbetet reforma e brendshme, forcimi i unitetit dhe përgatitja për zgjedhjet e ardhshme.
Sipas tyre, vazhdimi i mandatit të Abdixhikut shmang një krizë të re politike brenda partisë, por tani ai përballet me detyrën për të riorganizuar strukturat dhe për të menaxhuar dallimet e brendshme.
Mehmeti: Rizgjedhja e Abdixhikut është “e keqja më e vogël” për LDK-në, tani duhet ta reformojë partinë
Lidhur me këtë, analisti politik, Faton Mehmeti për “Bota sot”, ka vlerësuar se rizgjedhja e Abdixhiku në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës ishte një moment i rëndësishëm për të ardhmen e kësaj partie.
“Rizgjedhja e Lumirit është e keqja më e vogël momentale për LDK-në. Nëse ai nuk do të ishte konfirmuar në krye të partisë, do të kishim një histori krejt tjetër për LDK-në. Vendi do të shkonte automatikisht në zgjedhje dhe për këtë do të fajësohej LDK-ja”, ka deklaruar Mehmeti.
Gjithashtu, ai ka thënë se një skenar i tillë do të ndikonte negativisht në rezultatin e ardhshëm zgjedhor të LDK-së, duke paralajmëruar se brenda partisë ekzistojnë figura që nuk i shërbejnë interesit të saj.
“Gjithçka varet se sa Lumiri do të jetë i gatshëm ta menaxhojë dhe ta spastrojë partinë nga disa njerëz të cilët më shumë po i shërbejnë PDK-së sesa vetë LDK-së”, është shprehur ai.

Faton Mehmeti
Tutje, Mehmeti ka shtuar se një marrëveshje politike që do të shmangte zgjedhjet e reja dhe do të siguronte një mandat të plotë qeverisës do t’i jepte Abdixhikut kohë për të ndërmarrë reforma brenda LDK-së.
“Nëse nuk do të ketë zgjedhje dhe do të zgjidhet çështja e presidentit, duke krijuar një mandat katërvjeçar, atëherë Lumiri do ta ketë më të lehtë që ta riorganizojë partinë dhe ta zgjerojë atë për kohëra të reja”, ka thënë Faton Mehmeti.
Rizgjedhja e Abdixhikut në krye të LDK-së, Gashi: Partia kaloi një “test demokracie”, sfida e vërtetë mbetet uniteti dhe zgjedhjet e ardhshme
Ndërsa, analisti politik, Eduart Gashi për “Bota sot” ka vlerësuar se rizgjedhja e Abdixhikut tregon mbështetjen e shumicës së strukturave të partisë për drejtimin e tij politik.
“Rikonfirmimi i Lumir Abdixhikut në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) është një zhvillim i rëndësishëm politik që mund të analizohet nga disa këndvështrime:
Rizgjedhja e Abdixhikut sinjalizon se shumica e strukturave të brendshme të partisë mbështesin linjën e tij politike dhe përpjekjet për reformimin e LDK-së pas rezultateve të zgjedhjeve të kaluara. Kjo i jep atij një mandat të ri për të vazhduar me strategjinë e tij të opozitëbërjes dhe përgatitjen për sfidat e ardhshme elektorale”, ka thënë ai.

Eduard Gashi
Sipas Gashit, një nga çështjet më të diskutuara pas këtij procesi është mundësia e thellimit të përçarjeve brenda LDK-së, e cila, sipas tij, varet nga mënyra se si do të menaxhohen dallimet e brendshme.
“Sa i përket mundësisë së thellimit të përçarjeve, kjo varet nga disa faktorë kyç:
Në çdo parti me traditë të gjatë si LDK-ja, ekzistojnë rryma dhe figura me pikëpamje të ndryshme. Mënyra se si kryesia e re përfshin ose akomodon krahët e tjerë do të përcaktojë nivelin e unitetit.
Nëse rruga e ndjekur nga lidershipi i ri shihet si e suksesshme dhe gjithëpërfshirëse, mundësia për pakënaqësi zvogëlohet. Përkundazi, nëse disa figura ndjehen të mënjanuara, mund të ketë fërkime apo distancime individuale.
Mbetja e Abdixhikut në krye nënkupton se LDK-ja synon vazhdimësi në procesin e modernizimit të saj, por sprova e vërtetë e unitetit dhe fuqisë politike do të jetë performanca e partisë në zgjedhjet e ardhshme nacionale dhe lokale”, ka shtuar Gashi.
Ai ka theksuar se vetë iniciativa për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm dhe mënyra e zhvillimit të tij treguan pjekuri politike.
“Për më tepër, ky proces tregoi se LDK-ja e kaloi me sukses të plotë një “test demokracie”, duke dëshmuar se si funksionon me të vërtetë demokracia e brendshme partiake:
Thirrja e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm me iniciativën e anëtarësisë, si dhe pjesëmarrja e qetë dhe e organizuar, tregojnë pjekuri politike.
Ekzistenca e blloqeve ose rrymave të ndryshme brenda një partie është pikërisht ajo nga e cila jeton demokracia. E rëndësishme është që, pas procesit të votimit, rezultati pranohet dhe respektohet nga
Demokracia nuk do të thotë bllokim i vazhdueshëm apo të qenit thjesht “kundër”. Përkundrazi, ajo nënkupton gjetjen e zgjidhjes më të mirë të mundshme (një situatë ëin-ëin për të gjithë) — veçanërisht për vendin, për të ardhmen e tij dhe për të ndërtuar një të nesërme më të mirë në dobi të popullit dhe të gjeneratave që vijnë”, ka përfunduar Gashi për “Bota sot”.
