Gati dy vjet pasi hoqi dorë nga tenisi, Roger Federer ka gjetur një ritëm të ndryshëm të jetës, por edhe disa sfida shumë emocionuese për t’u përballur, siç është familja dhe prindërimi. Ai është pak më i gjatë se sa mund ta imagjinoni, sytë e tij janë ngjyrë lajthi, ka një buzëqeshje të ngrohtë dhe ndihet në formë fizikisht. Në moshën 42-vjeçare, ai ende lëviz me të njëjtin elasticitet si një tenist profesionist, por tani rrëfen se familja është epiqendra e aktivitetit të tij, ndërsa po përgatit një dokumentar për jetën e tij, si kampion dhe jo vetëm. Roger Federer renditet nga revista “Forbes”, si tenisti më i pasur me 130 milionë dollarë; ai ka luajtur më shumë se 1500 ndeshje në gjithë karrierën dhe ka fituar 20 herë “Grand Slam”, eventin më të rëndësishëm botëror të tenisit.
Si po ju shkon pensioni?
Unë ndihem vërtet i lehtësuar…
I lehtësuar nga cili këndvështrim?
Vitet e fundit ishin të vështira. Dëmtova gjurin dhe e ndjeva se po vinte fundi. Kur ka mbaruar gjithçka dhe e ndjen se je në pragun për të dalë në pension, merrni frymë thellë dhe mendoni: Uau, do të jetë më mirë.
Pra, emocioni që ndjeve nuk ishte trishtim apo dhimbje, por lumturi?
Në momentin e tërheqjes, ishte e dhimbshme. E dija se do të ishte e vështirë. Më pas, kur sheh ato momentet më të bukura të karrierës, e veçanërisht kur njerëzit të pyesin: “Si u ndjetë në atë moment kur fitove”. Kjo të bën të mendosh, “O Zot, ja paskam dalë mbanë me sukses!”.
Ju vërtet qatë atë natë kur deklaruat largimin?
Po, sepse ndjeva një emocion shumë të fortë. Kur e di se diçka që ka qenë gjithmonë pjesë e jetës suaj, por nuk duhet të mendosh se do të vazhdojë përgjithmonë.
A ndiheni se keni arritur fundin që dëshironit?
Besoj se po, sepse më ka trembur gjithmonë ideja për të luajtur një ndeshje ku në fund del humbës. Ti shtrëngon duart me kundërshtarin dhe je vetëm në fushë. Jo të gjithë e dinë se si do të jetë dita jonë e fundit në punën tonë, por në sport fundi duhet të jetë triumfues, ndryshe të dhemb gjithmonë.
A kishte një moment kur menduat: por kush jam unë në të vërtetë?
Tenisi ishte identiteti im, por nuk ishte gjithçka. Shumicën e kohës kam qenë më shumë baba, burrë dhe bir. Të qenit një tenist ishte hobi, derisa u bë punë. Gjithmonë jam përpjekur të mos identifikohem ekskluzivisht me aktivitetin tim. Kur nuk luaja tenis, kisha shumë gjëra të tjera për të bërë. Ky mentalitet ka qenë një pikë e fortë e karrierës sime. E dija që nëse tenisi përfundon nesër, siç mund të ndodhë një aksident, duhet të jetoja me veten, pa menduar për lojën.
A mendoni se pensioni ka ndryshuar ndjenjën tuaj të kohës?
Ndjej sikur minutat kanë më shumë rëndësi se më parë. Nuk e di nëse është edhe çështje moshe, kur del në pension ke perceptimin se koha po të ikën dhe ke ende shumë gjëra për të bërë.
Moda nuk ka qenë gjithmonë me interes për ju, po tani çfarë ju frymëzoi?
Gruaja ime, Mirka, është tre vjet më e madhe dhe ka qenë gjithmonë shumë elegante dhe e apasionuar pas makinave, orëve dhe modës. Filluam të takoheshim kur isha 18 vjeç dhe u takuam në Lojërat Olimpike të Sidneit, në vitin 2000. Mendoj se ajo ishte personi, që më nxiti për të më futur në botën e modës.
Po punoni për një dokumentar për veten dhe ditët e fundit të karrierës suaj, pse vendosët ta bëni?
Ishte diçka që nuk doja ta bëja. Gjithçka ka lindur nga një nevojë personale, për fëmijët e mi, miqtë, trajnerët dhe ekipin tim. Unë kam aq shumë filmime dhe do të ishte dëm të mos i ndaja me njerëzit, pra një dokumentar njëorësh. Është super emocionale dhe e vështirë të shikosh veten! Kam qarë gjashtë herë kur i kam parë.
Pse qatë?
Kishte shumë momente, në të cilat ndjen vuajtjet që ke kaluar. Për mua, emocionalisht, ishte e vështirë.
Kur flisni për “vuajtje”, keni parasysh vuajtjen mendore apo jo fizike?
Sigurisht që është një vuajtje mendore dhe emocionale. Ajo kalon nëpër trup, sepse është një përvojë që ju përfshin tërësisht.
A e ndjek akoma tenisin?
Shikoj vetëm momentet kryesore. Është e vështirë për mua të ndjek një ndeshje të tërë, sepse jam shumë i zënë me fëmijët dhe aktivitetet e tyre.
Ju e dini saktësisht se si njerëzit e përshkruajnë lojën tuaj të tenisit: të bukur, pa mundim dhe gjithçka. Nga njëra anë, është padyshim një kompliment. Nga ana tjetër, jam kurioz të di se çfarë mendoni për faktin që loja juaj do të mbahet mend në këtë mënyrë.
Fëmijët a luajnë tenis?
Po ata luajnë, sepse jetojnë në një klub tenisi, por e kanë edhe pasion. Vajzat në fillim nuk e pëlqenin tenisin dhe më duhej t’i shtyja pak, por tani të katër luajnë.
A e kuptojnë se si ju konsideron pjesa tjetër të botës?
Shumë më tepër tani se më parë. Kur ishin më të vegjël, nuk u tregoja për sukseset e mia. Tani jam më i hapur dhe më i sinqertë për sukseset e mia, shpesh i përdor si rrëfime që i ndaj me ta.
Si do ta përshkruanit atë që po përjetoni tani?
Jam i lumtur që nuk pata një rënie në fund. Problemet erdhën për shkak të lëndimeve, por mendoj se ishin vështirësi dhe tani jam i lumtur që po bëj një jetë krejtësisht ndryshe. Është sikur të isha rehabilituar, e kisha vendosur të mos kthehesha. Kjo jetë që po jeton tani, për mua është një sfidë e re. Më në fund po gjej një hapësirë të re, kam projekte të reja dhe mbi të gjitha kam kohë të kujdesem dhe rri me fëmijët e mi. Më pëlqen ky moment. Unë përpiqem të kujdesem me butësi si prind dhe shoh që kjo anë më kishte munguar në jetën sportive që bëja. Më vjen mirë që më në fund zgjohem me dëshirën për të menduar dhe kujdesur për familjen time.
bal