Kuriozitete

Rregulli i çuditshëm në plazhin italian: Nuk lejohen çadrat!

Një prej plazheve më të frekuentuara në ishullin italian të Sardenjës ka vendosur rregulla të reja që po ngjallin debat mes pushuesve. Autoritetet që administrojnë plazhin Punta Molentis kanë ndaluar përdorimin e çadrave për personat nga 10 deri në 65 vjeç, duke argumentuar se masa është e nevojshme për arsye sigurie.

Sipas rregullores së re, vetëm familjet me fëmijë deri në 10 vjeç dhe personat mbi 65 vjeç do të lejohen të vendosin nga një çadër në plazh. Për të gjithë të tjerët, përdorimi i çadrave, tendave apo sistemeve të tjera për krijimin e hijes është i ndaluar.

Masat do të jenë në fuqi nga 5 qershori deri në fund të tetorit. Gjithashtu, vizitorët do të duhet të paguajnë 10 euro për hyrjen në plazh, ndërsa personat me aftësi të kufizuara dhe shoqëruesit e tyre përjashtohen nga tarifa.

Vendimi ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale dhe mes pushuesve. Disa e kanë cilësuar masën të pakuptimtë, ndërsa të tjerë kanë ironizuar faktin se për të pasur të drejtën e një çadre duhet të jesh prind ose pensionist.

Moneytizer Paragrafi 4

Autoritetet lokale shpjegojnë se vendimi lidhet me një incident të ndodhur vitin e kaluar, kur dhjetëra persona u evakuuan me varka pas një zjarri në zonë. Sipas tyre, numri i madh i çadrave kishte bllokuar kalimet dhe e kishte bërë të pamundur evakuimin në rrugë tokësore.

Përveç kësaj, mbipopullimi dhe vendosja e çadrave pranë njëra-tjetrës krijonin rreziqe të ndryshme dhe pengonin qasjen në plazh.

Italia njihet për rregullat e shumta në plazhe. Në disa zona të Sardenjës ndalohet marrja e rërës, me gjoba që arrijnë deri në 3.500 dollarë, ndërsa në shumë plazhe të tjera vizitorët duhet të rezervojnë paraprakisht vendin e tyre për të shmangur mbipopullimin.

Të Ngjashme