Lajme

Rritje pagash, lehtësira për bizneset dhe subvencione – Hoxha shpalos programin e PDK-së

Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, Eliza Hoxha, ka prezantuar disa nga prioritetet e programit zgjedhor të partisë së saj, duke theksuar se fokusi kryesor do të jetë fuqizimi ekonomik i qytetarëve, mbështetja për bizneset dhe rritja e pagave.

Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Hoxha tha se PDK-ja synon rritjen e pagave me 50 për qind dhe ofrimin e masave mbështetëse për kategori të ndryshme sociale dhe ekonomike.

“Do të ketë rritje të pagave dhe masa për të gjitha kategoritë sociale. Po ashtu, kemi paraparë politika që lidhen me ndërmarrësit dhe njerëzit që krijojnë vende pune. Bizneset e vogla që kanë deri në 10 mijë euro qarkullim nuk do të tatohen fare, ndërsa më pas tatimi do të aplikohet në mënyrë graduale”, tha Hoxha.

Ajo sqaroi se programi i PDK-së parasheh lehtësira fiskale për bizneset e vogla dhe mbështetje për ndërmarrjet e reja përmes subvencioneve dhe granteve.

“Masat e tjera lidhen me nxitjen e ndërmarrjeve të reja, përfshirë edhe dimensionin gjinor, përmes subvencioneve dhe granteve. Ideja jonë është që njerëzit të mos mbeten të varur nga shteti, por shteti t’u krijojë mundësi dhe shtysë për t’u zhvilluar ekonomikisht”, u shpreh ajo.

Hoxha theksoi se pavarësia e një shteti nuk matet vetëm me territorin, por edhe me fuqizimin ekonomik të qytetarëve.

“Ne ndoshta jemi të pavarur si shtet, por pavarësia nuk është vetëm territoriale. Ajo është edhe individuale dhe ekonomike. Shteti ka për detyrë të krijojë kushte, mundësi, nxitje, subvencione dhe lehtësira për kategori të caktuara, në mënyrë që të gjithë ta kenë një pikënisje më të barabartë”, deklaroi kandidatja e PDK-së.

Ajo kritikoi gjithashtu qeverinë aktuale për qasjen ndaj politikave sociale, duke thënë se orientimi i shumicës së buxhetit drejt shtesave nuk krijon zhvillim afatgjatë.

“Çdo mënyrë tjetër që e orienton buxhetin e shtetit vetëm në shtesa dhe mirëmbajtje sociale krijon varësi. Ne besojmë se qytetarëve duhet t’u krijohen mundësi për zhvillim dhe pavarësi ekonomike, e jo të presin vazhdimisht ndihma nga shteti”, tha Hoxha.

Sipas saj, programi i PDK-së synon të krijojë një ekonomi më konkurruese, me më shumë vende pune dhe më shumë mundësi për qytetarët dhe bizneset.

Të Ngjashme