Rrjeti i Grave të Kosovës u ka kërkuar anëtarëve të kuvendeve komunale të financojnë shërbimet sociale dhe kujdesin për qytetarët në buxhetet për vitin 2027.
Në rekomandimet e datës 24 shtator, RrGK kërkon që çdo komunë të planifikojë buxhet për të paktën 2 punonjës socialë shtesë, të certifikuar për trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore. Sipas organizatës, kostoja shtesë do të ishte rreth 18,120 euro në vit.
Rrjeti kërkon edhe një fond emergjent prej 100 eurosh në muaj për Qendrat për Punë Sociale. Mjetet, siç thuhen në rekomandime, do të përdoreshin për nevoja të menjëhershme të rasteve të asistuara në stacionet policore, përfshirë ushqimin, rrobat dhe produktet për foshnja.
Ndër prioritetet e tjera për të cilat insiston Rrjeti i Grave, janë zgjerimi i shërbimeve të kujdesit për fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara. RrGK kërkon gjithashtu më shumë psikologë shkollorë, asistentë personalë dhe qasje në produkte menstruale në shkolla.
Për gratë në zonat rurale, organizata propozon përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe transportit publik. Ajo kërkon grante bujqësore të dedikuara për gratë, si dhe rrugë e hapësira publike më të sigurta dhe të qasshme.
RrGK ka edhe një kërkesë tjetër, specifike, për vajzat.
“Siguroni qasje në produkte menstruale si pjesë e mjeteve higjienike në shkolla, në mënyrë që të gjitha vajzat të mund të përballojnë ndjekjen e rregullt të shkollës”, thuhet në rekomandime, transmeton KosovaPress.
RrGK u bën thirrje komunave të ndajnë mjete më të barabarta për pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në sport e aktivitete të tjera.
Organizata, e cila përfaqëson 106 organizata të grave, u kërkon asamblistëve të shqyrtojnë edhe Aneksin e Buxhetit Gjinor. Sipas saj, buxheti për 2027 duhet të përmbajë të dhëna të ndara sipas gjinisë, objektiva të qarta për barazinë gjinore dhe mjete për realizimin e tyre.
