Lajme

Rrogat për të ftuarit në emision, Spaho sulmon ish-kolegen Grida Duma

Deputeti demokrat Edmond Spaho ka reaguar kundrejt një lajmi për ish-kolegen e tij në PD, Grid Duma ku thuhej se moderatorja i paguante vetë analistët në emisionin e saj “Top Story”.

Politikania Evi Kokalari tha në emisionin “Shqip” se Grida Duma u jep një shumë parashë goxha të lartë analistëve që merr në studio. Sipas saj, rroga që u jep Duma është thuajse një rrogë mesatare mujore e shqiptarëve, por vetëm për një emision.

Pra nisur nga kjo, sipas Kokalarit, të ftuarit nuk i paguan “Top Channel” por vetë Duma.

“Shumë e parave që Grida Duma u jep analistëve që merr në studio është goxha e lartë. Është pothuajse një rrogë mesatare mujore e shqiptarëve. Dhe kjo paguhet për emision.

Nuk i paguan Top Channel, por Grida Duma. Po të bësh llogarinë është një shumë e madhe, nuk ka interes Top Channel t’i paguajë aq shumë”, deklaroi Kokalari.

Ndërkohë Spaho thotë se pothuajse të gjithë drejtuesit e emisioneve e përdorin këtë skeme në marrëveshje me televizionet. Sipas tij, drejtuesit e emisioneve vetëpaguhen me paga stratosferike nëpërmjet çmimeve të reklamave që paguajnë shqiptarët, e madje nuk paguajnë as taksa.

Demokrati shprehet i revoltuar duke thënë se “këta hipokritë”, referuar drejtuesve të emisioneve në vend, ngrenë zërin për pagat e deputetëvë, të cilat në krahasim me të ftuarit dhe moderatorët, janë qesharake.

“Nuk eshte vetem kjo. Pothuaj te gjithe drejtuesit e emisioneve kete skeme perdorin ne marreveshje me televizionet. Ne te vertete paguajne shqiptaret nepermjet cmimeve te reklamave qe jepen ne emision, te cilat shkojne ne kostot e produkteve qe ata reklamojne.

Drejtuesit e emisioneve vetepaguhen me paga stratosferike, madje nuk i paguajne as taksa shtetit. Shteti i le te livadhisin pasi i bjene borise sipas interesit te tij.

Keta hipokrite ngrene zerin per pagat e deputeteve, te cilat ne krahasim me te ftuarit, por vecanerisht me drejtuesit e emisioneve, jane qesharake”, shkruan Spaho në reagimin e tij.