Lajme

“Rugovizmi është ideja më moderne shqiptare”: Mesazhi politik i Vjosa Osmanit në hapjen e fushatës së LDK-së

Në një atmosferë elektrizuese, me simbolikë politike dhe emocione elektorale, Vjosa Osmani hapi fushatën e LDK-së me një mesazh të qartë: rikthimin e Rugovizmit si filozofi moderne e shtetit të Kosovës.

Duke folur para strukturave të partisë, aktivistëve dhe qytetarëve, Osmani e përshkroi trashëgiminë e Ibrahim Rugovës si “idenë më moderne që ka njohur politika shqiptare”.

“Rugova nuk ndërtoi kult force. Ai ndërtoi kulturë shteti”, deklaroi ajo.

Fjalimi i Osmanit u fokusua në tri shtylla kryesore: unitetin kombëtar, aleancën me Perëndimin dhe ndërtimin e institucioneve demokratike.

Në mënyrë të përsëritur, ajo e paraqiti LDK-në si forcën politike që historikisht ka bashkuar qytetarët dhe ka mbajtur Kosovën të orientuar drejt SHBA-së dhe Evropës.

“Sa herë që Kosova ka nevojë për urtësi, kthehet te Rugova”, tha Osmani.

Retorika e saj ndërthurte tone emocionale me kritika të ashpra ndaj politikës së polarizimit.

“Nuk do të jemi eksperiment i izolimit”, deklaroi kandidatja presidenciale.

Një prej momenteve më të forta të mbrëmjes ishte kur Osmani iu drejtua diasporës dhe familjeve kosovare që përballen me emigrimin e fëmijëve të tyre.

“Mërgata nuk meriton të kujtohet vetëm dhjetë ditë para votimeve”, tha ajo.

Fjalimi i Osmanit është qartazi përpjekja më të qartë e deritanishme për ta kthyer diskursin politik të Kosovës drejt qendrës së djathtë tradicionale rugoviane dhe drejt një narrative më të moderuar shtetërore.

Me moton “Bashkohuni”, Osmani ringritet si figurë unifikuese në një skenë politike të polarizuar.

“Më 7 qershor nuk votohet vetëm për pushtet. Votohet për drejtimin e Republikës”, përfundoi ajo.

Të Ngjashme