Lajme

Rukiqi fajëson Qeverinë për gjendjen në “Trepçë”, Shahini propozon privatizimin e ndërmarrjes

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka fajësuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për situatën nëpër të cilën gjendet ndërmarrja publike, “Trepça”. Ndërkaq, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, “shpëtimtarin” e vetëm për këtë ish-gjigand metalurgjik e sheh privatizimin.

Sipas tyre, pavarësisht premtimeve për investime, gjendja e saj ka mbetur e njëjtë.

Rukiqi ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka aftësi për të menaxhuar me këtë ndërmarrje, ndërsa përmend edhe rastin e minatorëve të cilët mbetën pa paga për afër tre muaj. 

“Ishim duke analizuar gjendjen në ‘Trepçë’, si shembull të asaj se si ju ka qas Qeveria premtimeve të veta, si ju ka qasur vet kryeministri angazhimeve dhe zotimeve që i ka pasur për këtë ndërmarrje. Sot pas tri vite e gjysmë të kësaj qeverie nëse lexon se çka është fol në fushatë, çka është folur kur ka qenë kryeministri në detyrë zyrtare në fjalimet që i ka mbajt edhe në ‘Trepçë’ atje, e sheh si shembullin më të mirë të mos mbajtjes se as një premtimi. Të një politike me thënë shumë e më bë gati asgjë. Normalisht sheh edhe paaftësi, ajo që e ka karakterizuar këtë qeveri, vazhdimisht është paaftësi për të trajtuar një problem të vetëm si duhet. Tash në presion ishte rasti i pagave të minatorëve, në presion i ndau disa mjete financiare, por të njëjtën kohë u lëshua në akuza, nuk na tregoi se çka ka më bërë tutje pra, si do ta trajtoj problemin tutje. Sepse ku është vetëm një harrnim i problemit”, ka thënë Rukiqi.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, konsideron se mungesa e investimeve nga kjo qeverisje e ka sjellë këtë ndërmarrje në këtë gjendje. Ka thënë se ndarja e mjeteve nuk është zgjidhje afatgjate.

“Një zgjidhje emergjente të themi për një çështje shumë sociale, shumë të rëndësishme për minatorët por u lëshua në akuza, ju kthyer gjuhës së opozitarit, ‘shumë pak xehe nën tok për shumë punëtor mbi tokë’. E thjeshtëzon problemin me frazeologji të tilla të cilat e marrin formën e një rimë, por rimat dhe frazeologjitë nuk janë zgjidhje për probleme. Ai ka premtuar investime të mëdha, e ka konsideruar ‘Trepçën’ aset strategjik. Mungesa të investimeve, mungojnë kushtet bazike për punë. Nuk është vetëm çështjesh pagat, minatorëve u mungojnë kushtet bazike për punë, ka rrezikshmëri të lartë. Nuk ka as një plan të qartë se si të trajtohen në planin afatgjatë, i ndanë 4 milionë, i mbulon deri në fund të këtij viti po çka pas janarit”, u shpreh Rukiqi.

E kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, si “shpëtimtarin” e vetëm të kësaj ndërmarrje e sheh privatizimin. Andaj, kërkon që të përgatitet dosje e mirë dhe të promovohet botërisht.

Shahini konsideron për Eo se Republika e Kosovës nuk po arrin ta shfrytëzojë siç duhet “Trepçën”, me ç’rast vlera e saj llogaritet të jetë mbi 15 miliardë euro.

“Ideja e qeverise së Kosovës për fuqizim të Trepçës përmes fondeve shtetërore është një ide e cila nuk mund të realizohet asnjë herë, pa marr parasysh cila qeveri është e cila do të vije. I vetmi shpëtim i Trepçës sot është privatizimi, prandaj duhet të përgatitet mirë dosja për privatizim, duhet të promovohet vlera e Trepçës edhe pse është e njohur në krejt botën. Vlera e ‘Trepçës’ ka pasuri mbi 15 miliardë euro të cilat ato mund të nxirren, të përpunohen dhe si produkt final ajo të shitet, jo si mbetje qysh është duke u shitur sot”.

“Nëse kjo del dhe privatizohet, e merr një korporatë e fuqishme botërore, një brend i fuqishëm ose bëhen, disa aksionarë kosovarë dhe blejnë, atëherë kjo do të fuqizohet. Ne do të kemi së paku 7-8 produkte finale nga ‘Trepça’ të cilët do të nxirret edhe ari, argjendi, hekuri, bakri, zinku edhe produktet të cilat dikur kanë qenë të nxjerra për bateritë, është fjala për akumulatorë dhe sot Serbia e ka nënshkruar një marrëveshje me Bashkimin Evropian për letium, kurse edhe Kosova e ka një produkt të tillë dhe ajo mund të jetë në Kosovë”, u shpreh Shahini.

Kryetari i AKB-së e sheh të gabuar ndarjen e mjeteve nga Qeveria për t’u paguar pagat minatorëve. Kësisoj, konsideron se rruga më e drejtë është shitja e saj por duke e ruajtur një përqindje edhe vetë shteti.

“‘Trepça’ është e pa shfrytëzuar është e keq menaxhuar dhe është me strategji të gabuar tek sistemet e kaluara, për arsye se ekonomia e tregut e cila është një sistem liberal një sistem i konkurrencës është jashtë konkurrencës që ‘Trepça’, prandaj duhet të shitet si aset i madh kombëtar por gjithmonë duke e ruajtur një përqindje edhe vet shteti për të cilën do të mbanë edhe nën kontroll por edhe do të fiton. Nëse një kompani nuk është rentabile çka duhet të merren taksa nga qytetarët dhe t’iu jepni atyre të cilët në atë kompani nuk mund të mbajnë vetveten. Trepça duhet të zgjidhet në problem afatgjatë, për mos me pasur problem me nxjerrjen e xeheve me miliona tona me eksportuar xehe të përpunuar dhe me punësuar njerëz me rrit bilancin tregtar është vetëm përmes privatizimit”, u shpreh Shahini.