Lajme

Sa duhet t’i keni të ardhurat mujore që të përfitoni nga skemat e strehimit?

Rritja e ndjeshme e çmimeve të pasurive të patundshme vitet e fundit në Shqipëri ka bërë që blerja e një shtëpie të kthehet në një mision të pamundur. Me këtë argument qeveria thotë se programi i prezantuar për strehimin ka si qëllim të adresojë këto ndryshime në treg.

Një nga ndryshimet thelbësore ka të bëjë me nivelin e të ardhurave që duhet të plotësojnë çiftet apo individët që do të aplikojë për të përfituar kredi me zero interes apo me interes 3%. Dardana Grabovaj tregon për e-ZONE se sa kanë ndryshuar vlerat.

“Sot që flasim një familje e pastrehë, që kërkon të blejë një shtëpi duhet të plotësojë kriterin e të ardhurave që është minimalisht 90 mijë lekë në muaj. Duke parë ecurinë e çmimeve në e kemi rritur këtë kufij dhe e kemi bërë 275 mijë lekë të reja në muaj për dy persona neto. Në këtë mënyrë i japim mundësi çdo shtrese, që të aplikojë ne skemat ku e gjen veten”, sqaroi Grabovaj

Paralelisht me këtë fakt, sipas qeverisë po punohet edhe në dy zona të Tiranës për të ndërtuar banesa me kosto të ulët. Kjo skemë është për ato familje që janë në kufijtë e pamundësisë për të paguar kredi.

Me fondin e tatimit 3% që paguajnë ndërtuesit kemi një shumë prej 8 mln euro të arkëtuara me të cilat kemi planifikuar, që të ndërtojmë 500 banesa sociale me kosto të ulët.

“Për të gjithë ata që mendojnë se jemi duke u fokusuar vetëm tek kërkesa, u them se nuk është e vertet, ne po shohim dhe anën e ofertës për të ofruar një ekuilibër më të mirë në tre dhe për të shmangur rritjen e mundshme të çmimeve”, përfundoi Grabovaj

Në vitet e fundit qeveria thotë se ka adresuar rreth 30 mijë familje të pastreha duke ofruar banesa dhe skema të kredive të buta.

Të Ngjashme