Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të vizitojë Shqipërinë për herë të parë. Presidenti Ukrainas pritet që mbrëmjen e sotme të shkelë në tokën shqiptare.
Zelensky do të zhvillojë një vizitë tre ditore në Tiranë, ku me datë 28 shkurt, e mërkurë, do të marrë pjesë në Samitin për Ukrainën ku do të jenë të pranishëm zyrtarët më të lartë të Brukselit. Ndërsa, më datën 29 shkurt, do të vijohet me një tjetër samit, atë të Ballkanit Perëndimor ku do të marrin pjesë liderët e rajonit.
Zelensky viziton Shqipërinë në një kohë kur vendi i tij prej dy vitesh është në luftë me Rusinë, gjë që bën që siguria për të të jetë maksimale. Kështu që një sërë masash të larta sigurie janë ndërmarrë në mënyrë që këto evente të rëndësishme të zhvillohen pa pasur probleme.
Zbatimi i planit të masave për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë nga Policia e Shtetit do të nisë që më datë 27 shkurt, pas mbërritjes së Zelenksyt. Në total mbi 1500 forca policie do të jenë të angazhuara për mbarëvajtjen e rendit dhe të sigurisë për samitet. 1500 forca policie, që përfshijnë Antiterrorin, Garda, FNSH, RENEA, efektivë të krimeve dhe rendit, por edhe të policisë Rrugore të Tiranës do të jenë të dislokuar në terren për mbarëvajtjen e samitit.
Gjithashtu edhe Garda dhe SHISH do të kenë agjentë të shumtë për të vëzhguar përveç terrenit edhe rrjetet sociale, nëse do ketë thirrje për destabilitet.
Në terren nga policia do të jenë edhe grupet anti-eksploziv që vëzhgojnë rrugët kryesore dhe kanë në mbikëqyrje gjithë perimetrin e sigurisë. Ndërkohë, mësohet se në të gjitha pikat kufitare janë dërguar fotot e atyre personave të cilët dyshohet se kanë prirje ekstremiste dhe u është dhënë urdhër që të mos lejohen të futen në vendin tonë.
Policia e Shtetit gjithashtu ka marrë një sërë masash të detajuara për sigurinë e Zelenskyt, duke filluar nga aeroporti i Rinasit, shoqërimi drejt Tiranës në vendet ku do të zhvillohen takimet, akomodimi dhe shoqërimi drejt Rinasit, në përfundim të vizitës. Gjithashtu, do të bllokohen disa segmente rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera, në varësi të takimeve dhe aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë këtyre dy ditëve, në Tiranë.
RRUGËT QË DO TË BLLOKOHEN:
Rruga “Rinas – Qafë Kashar” dhe anasjelltas;
– Autostrada “Tiranë- Vorë” dhe anasjelltas;
– Unaza e Madhe, nga ish-sheshi “Shqiponja”, deri te rrethi i Sanatoriumit, dhe anasjelltas;
– Rruga e Elbasanit nga rrethi i Sanatoriumit deri tek ura e Elbasanit dhe anasjelltas.
-Gjithashtu, të gjitha rrugën që lidhin rrugën e Elbasanit, me rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali”, “Mustafa Matohiti”, “Jul Variboba”, “Faik Konica”, “Fatmir Haxhiu”, “Gjeneral Nikols”, rrugën e Atjonit, “Sheh Ahmet Pazar”, si dhe të gjitha rrugët që lidhin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me rrugët “Ibrahim Rugova”, “Ukraina e lirë” dhe “Lek Dukagjini”, do të jenë të bllokuara.
Në këto segmente nuk do të lejohet parkimi i mjeteve dhe për këtë arsye do të njoftohen të gjithë banorët e zonës, për mosparkim të mjeteve në këto segmente.
Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga veriu, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Fushë Prezë – Rinas”;
-Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Durrësi, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Vorë- rruga e vjetër e Fushë Krujës”;
– Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga juglindja, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Elbasan – rrethrrotullimi TEG-ut- unaza lindore- Paskuqan -Kamëz- kryqëzimi i Valiasit- Rinas”.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo