Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka nisur takimet me përfaqësuesit e grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës.
Në kuadër të këtyre takimeve, ai është pritur sot nga kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.
Pas takimit, Schuebel bëri të ditur se diskutimet janë përqendruar në prioritetet e legjislaturës së re, miratimin e ligjeve që ndërlidhen me Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian, si dhe përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit të Kosovës me atë të BE-së.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e rolit të Kuvendit në procesin e integrimit evropian të Kosovës.
“Krahas prioriteteve të legjislaturës së re, miratimit të ligjeve që lidhen me Planin e Rritjes të BE-së dhe përafrimit të mëtejshëm të legjislacionit të Kosovës me legjislacionin e BE-së, diskutuam edhe për rolin vendimtar që Kuvendi luan në avancimin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit në BE – qëllimi ynë i përbashkët dhe gjithëpërfshirës”, tha Schuebel.
