Lajme

Sekretari i përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg e konfirmon: Suedia, aleat i 32!

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka mirëpritur votën e parlamentit hungarez, për të qenit pro anëtarësimit të Suedisë në NATO.

Stoltenberg ka konfirmuar që Suedia do të jetë aleati i 32-të i NATO tani që të gjithë aleatët e kanë miratuar.

”Unë e mirëpres votën e parlamentit hungarez për ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO. Tani që të gjithë aleatët kanë miratuar, Suedia do të bëhet Aleati i 32-të NATO. Anëtarësimi i Suedisë do të na bëjë të gjithëve më të fortë dhe më të sigurt”

Ministri i Jashtëm Igli Hasani reagoi duke thënë se “Shqipëria mirëpret pranimin e Suedisë në NATO”, ndërsa thekson se anëtarësimi i Suedisë do të forcojë sigurinë e rajonit tonë dhe të gjithë Aleancës.

Parlamenti i Hungarisë miratoi sot me shumicë dërrmuese që Suedia t’i bashkohet NATO-s, duke i hapur kështu rrugën për pranimin e vendit nordik në aleancë pas gati dy vitesh negociata intensive.

Hungaria ishte pengesa e fundit që Suedia të bëhej pjesë e Aleancës. Kryeministri suedez Ulf Kristersson vizitoi Budapestin të premten për të diskutuar bashkëpunimin e mbrojtjes dhe sigurisë me homologun e tij hungarez, Viktor Orban. Të dy palët dukek se u pajtuan, duke rënë dakord për një marrëveshje që Suedia t’i jepte Hungarisë katër avionë të rinj luftarakë të prodhimit suedez Gripen.

Nga 194 anëtarët e parlamentit që votuan, vetëm gjashtë e kundërshtuan pranimin e Suedisë.

Me pranimin e Suedisë, NATO do të numërojë 32 vende anëtare. Vitin e kaluar, Finlanda u bë anëtari i 31-të i NATO-s. Siç thotë NATO, Finlanda dhe Suedia do të gëzojnë mbrojtjen e dhënë sipas nenit 5 të traktatit që themeloi aleancën – i cili thotë se një sulm ndaj një anëtari konsiderohet një sulm kundër të gjithëve.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo