Gjykata e Elbasanit ka sekuestruar pasuri me vlerë 450 mijë euro në Elbasan, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të 2 shtetasve të dënuar në Itali, për trafikim dhe shfrytëzim për prostitucion.
Pasuritë e sekuestruara janë një apartament në pronësi të shtetasit S. A., 49 vjeç, i ndodhur në lagjen “Dyli Haxhire” të Elbasanit dhe një lokal në lagjen “Kongresi” në pronësi të 42-vjeçarit E.G.
49-vjeçari është dënuar në Itali për trafik dhe shfrytëzim prostitucioni, ndërsa 42-vjeçari është dënuar me 8 vite në Itali për të njëjtën vepër penale.
NJOFTIMI I POLICISE
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Sundimi i ligjit”, vijon puna për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të krimit.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Real Estate 2”. Sekuestrohen pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 450 000 euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të 2 shtetasve të dënuar në Itali, për trafikim dhe shfrytëzim për prostitucion.
Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i hetimeve pasurore të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike i DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, me qëllim gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, u zhvillua operacioni policor i koduar “Real Estate 2”, gjatë të cilit, në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Elbasanit, u sekuestruan:
- 1 apartament në pronësi të shtetasit S. A., 49 vjeç, i ndodhur në lagjen “Dyli Haxhire”, Elbasan, pasi ky shtetas është i dënuar në Itali, për veprën penale “Trafikimi dhe shfrytëzimi për prostitucion”;
- 1 lokal në pronësi të shtetasit E. G., 42 vjeç, i ndodhur në lagjen “Kongresi”, Elbasan, pasi ky shtetas është i dënuar në Itali, me 8 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi dhe shfrytëzimi për prostitucion”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo