Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për posedim dhe trafikim të substancave narkotike gjatë një aksioni të zhvilluar në magjistralen Kaçanik–Hani i Elezit.
Sipas autoriteteve, të arrestuarit janë një shtetas i Shqipërisë dhe një shtetas i Maqedonisë së Veriut. Gjatë kontrollit të realizuar ndaj tyre dhe mjeteve që përdornin, policia ka zbuluar dhe konfiskuar rreth 17.8 kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, vlera e së cilës llogaritet të jetë rreth 60 mijë euro.
Përveç drogës, zyrtarët policorë kanë sekuestruar edhe dy telefona celularë, dy automjete, një fletore me shënime si dhe para të gatshme në valuta të ndryshme. Sipas njoftimit, janë konfiskuar rreth 1,545 euro, 6,500 lekë shqiptarë dhe 5,360 denarë.
Ngjarja ka ndodhur të premten pasdite, ndërsa pas procedurave hetimore dhe intervistimit nga organet kompetente, me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë ndaluar dhe janë dërguar në mbajtje.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
