Lajme

Serbia nderon Brigadën e 37-të, reagon Gurakuç Kuçi

Profesori Gurakuç Kuçi ka kritikuar përurimin e një monumenti në Rashkë për Brigadën e 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, duke theksuar se kjo njësi lidhet me vrasjen e rreth 1,400 civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.

Sipas tij, ngritja e këtij monumenti, në prani të zyrtarëve serbë, dërgon mesazhin e glorifikimit të krimeve dhe pengon përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Kuçi vlerëson se veprime të tilla bien ndesh me pretendimet për pajtim dhe normalizim të marrëdhënieve në rajon.

Shkrimi pa ndërhyrje:

𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐚 𝐤ë𝐫𝐤𝐨𝐧 𝐭ë 𝐳𝐡𝐝𝐮𝐤𝐮𝐫𝐢𝐭, 𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐚 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐧 𝐛𝐫𝐢𝐠𝐚𝐝ë𝐧 𝐞 𝐥𝐢𝐝𝐡𝐮𝐫 𝐦𝐞 𝐯𝐫𝐚𝐬𝐣𝐞𝐧 𝐝𝐡𝐞 𝐟𝐬𝐡𝐞𝐡𝐣𝐞𝐧 𝐞 𝐭𝐲𝐫𝐞

Serbia nderon me monument përkujtimor Brigadën e 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, pjesëtarët e së cilës janë përgjegjës për rreth 1,400 civilë të vrarë në Kosovë.

Derisa në Kalludër të Vogël, në veri të Kosovës, po gërmohet për mbetjet mortore të shqiptarëve të zhdukur nga krimet serbe, Serbia nuk mjaftohet vetëm duke arrestuar si “spiunë” personat që japin informacione për të zhdukurit dhe varrezat masive. Tani ajo u ndërton edhe monumente përkujtimore formacioneve të lidhura me këto krime.

Monumenti në Rashkë u përurua në praninë e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, si dhe ish-komandantit të brigadës, Ljubisha Dikoviq.

Daçiqi deklaroi se pjesëtarët e brigadës kishin shërbyer “me nder” dhe se luftëtarët serbë ishin “heronj të luftës dhe jo kriminelë lufte”. Sipas tij, monumenti duhet të shërbejë si një “mësues i heshtur i historisë” për brezat e ardhshëm.

Por çfarë historie po u mësohet këtyre brezave?

Ky përkujtim është shndërrim i krimeve dhe kriminelëve në një amnisti kolektive, duke dhënë mesazhin se kushdo që kryen krime kundër shqiptarëve nuk do të penalizohet nga Serbia, por përkundrazi mund të shpallet hero.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, gjatë kohës kur Brigada e 37-të vepronte në Drenicë, u vranë rreth 1,400 civilë. Dosja për komandantin Ljubisha Dikoviq dokumenton shtatë krime ku morën pjesë pjesëtarë të brigadës dhe ku u vranë më shumë se 450 civilë shqiptarë.

Në Izbicë u ekzekutuan mbi 100 burra shqiptarë, kryesisht të moshuar, pasi u ndanë nga gratë dhe fëmijët.

Në Rezallë, më 5 prill 1999, u vranë të paktën 41 civilë shqiptarë. Trupat e 27 prej tyre u gjetën shumë vite më vonë në varrezën masive në Rudnicë të Serbisë, ndërsa dhjetë viktima të tjera vazhdonin të ishin të zhdukura.

Në Çikatovë të Vjetër, më 17 prill 1999, u vranë 27 civilë shqiptarë. Trupat e 20 prej tyre u gjetën gjithashtu në Rudnicë.

Në Qirez, gra dhe vajza, disa prej tyre shtatzëna, u ndaluan, u përdhunuan dhe u keqtrajtuan nga forcat serbe. Pesë viktima të përdhunimit dhe tri gra të moshuara u vranë dhe u hodhën në puse.

Në Shavarinat, mbi 100 burra shqiptarë të ndaluar u ekzekutuan në grupe pranë gropave të minierave. Trembëdhjetë të burgosur të tjerë u morën për punë të detyruar pranë vendeve ku trajtoheshin trupat dhe më pas u zhdukën.

Në Vërboc dhe fshatrat përreth u vranë 92 shqiptarë, ndërsa në Baks tetë burra u ekzekutuan pasi ishin kapur, rrahur dhe plaçkitur.

Në Studime të Poshtme u vranë dhjetëra civilë shqiptarë, përfshirë 12 anëtarë të familjes Gërxhaliu, pesë prej tyre të mitur. Brigada e 37-të kishte ofruar mbështetje artilerike për operacionin.

Në Zabel të Ulët dhe Gllanasellë, civilët u morën, u vranë ose u zhdukën, ndërsa mbetjet e tyre mortore përfunduan në Rudnicë.

Gjithsej, në këtë varrezë masive u identifikuan mbetjet mortore të 52 civilëve shqiptarë: 27 nga Rezalla, 20 nga Çikatova e Vjetër, katër nga Zabeli i Ulët dhe një nga Gllanasella.

Dokumentet ushtarake tregojnë se Brigada e 37-të kishte përgjegjësi për të ashtuquajturin “pastrim të fushëbetejës”. Strukturat e saj kishin dijeni për trupat e viktimave, por ato nuk u identifikuan dhe nuk iu dorëzuan familjeve.

Trupat u larguan nga Kosova, u transportuan rreth 100 kilometra në territorin e Serbisë dhe u fshehën në një varrezë masive për afro 15 vjet.

Në vend që të hapë dokumentet dhe të ndihmojë në zbardhjen e fatit të të zhdukurve, Serbia i ka klasifikuar dosjet që lidhen me veprimtarinë e kësaj brigade. Pavarësisht kërkesave të Kosovës dhe Fondit për të Drejtën Humanitare, ato vazhdojnë të mbahen të mbyllura.

Para pak javësh, Snezhana Paunoviqi, ministre në Qeverinë e Serbisë dhe nënkryetare e partisë së Daçiqit, deklaroi se po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Daçiqi nuk u distancua. Përkundrazi, e mbrojti dhe e zhvendosi debatin nga ideja e spastrimit etnik te terminologjia e përdorur.

I njëjti Daçiq që mbrojti gjuhën e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve, tani shfaqet në ceremoninë e një brigade përgjegjëse për masakra, dëbime, zhdukje dhe fshehjen e trupave të viktimave shqiptare.

Kjo tregon se glorifikimi i krimeve dhe ideja e spastrimit etnik të shqiptarëve nuk janë qëndrime të izoluara, por pjesë e një politike shtetërore që mobilizon shoqërinë serbe me mesazhin se ata që kryejnë akte “heroike” kundër shqiptarëve nuk do të ndiqen penalisht.

Pas këtyre veprimeve të hapura të Serbisë, askush nga pala serbe dhe as ndërmjetësuesit ndërkombëtarë nuk mund të flasin seriozisht për pajtim apo normalizim, përderisa një shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian ngre monumente për kriminelët, mbron deklarata për spastrim etnik dhe refuzon të hapë arkivat për të zhdukurit.

Të Ngjashme