
1
Serbia sërish ka bërë një zotim publik se do të vazhdojë shkeljen e Marrëveshjes së Ohrit, duke paralajmëruar për “shumë befasi” në fushatën e saj të çnjohjeve për pavarësinë e Kosovës. Kryediplomati i saj iu bëri jehonë këtyre “planeve” krahas lavdërimeve për kinste rezultate në këtë angazhim. Ndërmjetësi i kësaj ujdie, Bashkimi Europian, refuzoi të komentojë mburrjen e Serbisë për shkelje të marrëveshjes.
Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, dje tha se Serbia po përgatitet “të ndryshojë qëndrimin e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare ndaj situatës në Kosovë”, duke shtuar se nuk e kanë neglizhuar aspektin e njohjeve ndërkombëtare për Kosovën.
“Për Serbinë, anëtarësimi i Prishtinës në Kombet e Bashkuara është absolutisht i papranueshëm, dhe Presidenti Vuçiq e ka thënë kaq shumë herë. Dhe unë po e përsëris zyrtarisht sot… ju e dini që deklaratat e Ministrit të Punëve të Jashtme kanë një karakter detyrues edhe në të drejtën ndërkombëtare, kështu që për Serbinë, anëtarësimi i Prishtinës në Kombet e Bashkuara është absolutisht i papranueshëm”.
Gjuriq pretendoi se presidenti serb do të flasë për këtë javën e ardhshme në Kombet e Bashkuara.
Për këto deklarata që shkelin haptas Artikullin 4 të Marrëveshjes së Ohrit ku Serbia “nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, Gazeta Express i është drejtuar ndërmjetësuesit të kësaj marrëveshje.
“Ne nuk komentojmë deklaratat”, u përgjigj shkurt një zëdhënëse e Bashkimit Europian për Express.
Në një intervistë për Radiotelevizionin Vojvodina, kryediplomati serb u përpoq të merrte pak rol për ndërprerjen e dialogut të planifikuar strategjik nga SHBA-ja për Kosvën – e cila masë erdhi për shkak të veprimeve të qeverisë në detyrë të Albin Kurtit.
“Kemi arritur në një situatë ku sot disa nga vendet që mbështetën fuqimisht të ashtuquajturën pavarësi të Kosovës tani po flasin shumë qartë dhe me zë të lartë kundër asaj që po bën regjimi i Kurtit dhe jo vetëm në postimet në rrjetet sociale. Kjo është arsyeja pse mendoj se ajo që administrata e re amerikane ka vendosur të bëjë, të pezullojë deri në njoftim të mëtejshëm çdo dialog strategjik me të ashtuquajturat institucione të Kosovës, është një vendim shumë i rëndësishëm. Sepse ka implikime të drejtpërdrejta për skenën politike në Prishtinë përpara zgjedhjeve lokale”, pretendoi Gjuriq.
Duke u përpjekur të mburret për audiencën e televizionit lokal të Vojvodinës, Gjuriq tha se presidenti serb Vuçiq doli publikisht menjëherë pas takimit të Ohrit dhe tha se nuk do ta pranojë Artikullin 4 përkundër që brenda takimit e ka dakorduar dhe pranuar atë.
Serbia në vazhdimësi ka shkelë Marrëveshjen e Ohrit derisa Bashkimit Europian ka bërë thirrjet për të dyja palët që të zbatojnë atë në plotëni.
Kosova dhe Serbia në njërën prej pikave të kësaj marrëveshje e kanë pranuar se “çdo dështim në përmbushjen e detyrimeve të tyre nga Marrëveshja, ky Aneks ose marrëveshjet e dialogut të kaluara mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të pranimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja”.