Lajme

Serbia thotë se ushtarët afër kufirit penguan kontrabandën me drunj

Ministria serbe e Mbrojtjes teksa ka reaguar për deklaratën e kryeministrit Albin Kurti lidhur me lëvizjet e rreth 50 ushtarëve serbë në vijën kufitare me Kosovën, ka thënë se bëhet fjalë për pengim të kontrabandës me drunj.

Sipas reagimit, lëvizjet e tyre janë detyra të rregullta për sigurimn e linjës administrave dhe kontrollit të zonës së sigurisë tokësore.

“Në postimin në rrjetet sociale shihen pjesëtarët e forcave të armatosura të Serbisë në zonën e sigurisë tokësore duke kryer detyra të rregullta për sigurimin e linjës administrative, në përputhje me marrëveshjet ushtarako-teknike dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të nënshkruara. Forcat e supozuara të sigurisë që përmend Kurti në media, të cilët kanë rënë në kontakt me pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Serbisë në lokacionin e përmendur, në fakt janë kontrabandë të pyjeve të prera ilegalisht nga territori i Serbisë qendrore, i cili përndryshe është kthyer në një biznes ilegal fitimprurës”, thuhet në njoftim.

Kurti, ka thënë të shtunën mbrëma se Serbia ka provokuar sërish, duke lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, më saktësisht afër Komunës së Kamenicës

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë investime të paprecedenta në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të strukturave të inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë të gatshme për të parandaluar çdo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë”, ka thënë Kurti.