
Këngëtarja kolumbiane Shakira ka zbuluar më në fund sekretin pas flokëve të saj të famshëm kaçurrela, duke lançuar linjën e re të produkteve për flokët “Isima”.
Artistja, e njohur për stilin e saj të veçantë dhe lëvizjet energjike në skenë, ka përdorur produktet e kësaj linje në heshtje për më shumë se dy vite, por tani ka vendosur ta ndajë me publikun.
“Isima është për mua, por jam e lumtur ta ndaj me të tjerët”, u shpreh ajo për “ELLE”.
Shakira e përshkruan lidhjen e saj me flokët si një marrëdhënie dashuri-urrejtje, duke rrëfyer se ato kanë qenë burim krenarie, por edhe sfidash.
Artistja 47-vjeçare tha se produktet e “Isima” janë frymëzuar nga eksperiencat e saj personale me flokët, të cilat kanë kaluar nëpër transformime të shumta – nga ngjyra e zezë në bionde, nga flokët e drejtë te kaçurrelat.
“Përdor flokët si pjesë të koreografisë. Më ndodh të fshij dyshemenë me to në skenë”, tha ajo me humor.
Linja “Isima” synon të ofrojë produkte të specializuara për flokët kaçurrela dhe është një hap i ri i Shakirës në botën e bukurisë, ku ajo tashmë po hyn me entuziazëm dhe përkushtim.