Lajme

Shala: Nisma e Ramës për shtetin bektashi krijon përçarje fetare

Historiani Azdren Shala ka folur për idenë e kryeministrit të Shqipërisë, që në Tiranë të formohet një shtet bektashi.

Shala tha se është befasuar për të keq nga Rama me këtë ide, por sipas tij, kryeministri shqiptar e ka një platformë më të gjerë se Shqipëria, e që i bie, siç tha ai, e ka një dëshirë për tu bërë figurë historike.

“Më tërhoqi vëmendjen ajo pjesa kur e quajti ‘Vatikani i Shqipërisë’, dhe besoj që Rama e di historinë e Vatikanit dhe në atë sipërmarrje shekullore qysh ka marrë formë Vatikani si qendër e krishtërizmit dhe katolicizmit, janë shumë figura të historisë”.

“Kjo ofertë historike për Ramën është joshëse që në të ardhmen, eventualisht të bëhet një Konstandin, por në gjykimin tim nuk jemi duke folur për atë pjesë”, tha Shala në Rubikon në Klan Kosova.

Tutje, ai tha se Rama gjithnjë do ta përdorë referencën historike, pasi sipas tij, roli i bektashinjve në Shqipëri është shumë i madh.

“Dhe kjo referencë e tij nuk e di a do t’i mjaftojë që ta justifikojë dëmin që ia bën shtetit.  Unë kam frikë se ku do të ndalet kjo punë, pasi shumë lehtë do të shohim tjera kërkesa nga bashkësitë fetaret, ku për mua do të hapë një rrezik që ortodoksët në jug do të kërkojnë një republikë ortodokse atje”, tha ai.