Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e ish-kreut të kësaj komune, Eqrem Kryeziut.
Përmes një postimi në Facebook, Totaj tha se profesor Kryeziu la gjurmë të pashlyeshme në historinë e re si një nga themeluesit dhe figurat qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe në udhëheqjen e zhvillimin e qytetit të Prizrenit, transmeton Klankosova.tv.
Siç tha Totaj, kontributi i të ndjerit në sferën akademike si profesor i letërsisë shqipe dhe në konsolidimin e institucioneve të Kosovës do të kujtohet gjithmonë me respekt të lartë.
“Në nderim të jetës dhe veprës së tij, nën patronatin e Komunës së Prizrenit, sot në orën 14:30, në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren, do të mbahet mbledhje komemorative. Ngushëllime të sinqerta familjes Kryeziu, miqve, kolegëve dhe gjithë bashkëpunëtorëve! I përjetshëm qoftë kujtimi për të! Rri në paqe, Profesor!”, ka shkruar ai.
