Dashuria nuk njeh moshë dhe këtë e kanë dëshmuar disa prej çifteve më të njohura të showbiz-it shqiptar, të cilët kanë ndërtuar marrëdhënie pavarësisht diferencave të mëdha në vite.
Nga këngëtarë e aktorë deri te personazhe të njohur të ekranit, këto shtatë çifte kanë tërhequr vëmendjen për diferencën në moshë, e cila në disa raste arrin deri në 33 vite.
Aktori dhe regjisori Artan Imami është rreth 20 vite më i madh se partnerja e tij, Florenca Bellova. Dyshja janë njohur rastësisht gjatë një periudhe kur Florenca, e cila ishte rritur dhe shkolluar kryesisht në Itali, ndodhej me pushime në Tiranë. Nga marrëdhënia e tyre ka ardhur në jetë vajza Audrey.

Një tjetër histori është ajo e regjisorit Ismet Drishti dhe bashkëshortes së tij, Eniana, të cilët kanë 21 vite diferencë. Kur u njohën, ai ishte 42 vjeç, ndërsa ajo 21. Në një intervistë për revistën “Bordo”, Drishti ka treguar se lidhja e tyre fillimisht u kundërshtua nga familja e Enianës. Çiftit iu deshën shtatë vite për të kapërcyer vështirësitë dhe për të ndërtuar jetën së bashku.

Edhe këngëtarja Adelina Tahiri dhe bashkëshorti i saj, avokati Serjoza Markov, kanë qenë shpesh në qendër të vëmendjes për diferencën prej rreth 23 vitesh. Adelina ishte 25 vjeçe kur u martua me të, ndërsa në vitin 2018 ata u bënë prindër të një djali, Jonit. Këngëtarja ka treguar në intervista se nuk e konsideron moshën pengesë dhe se vlerëson pjekurinë e bashkëshortit.

Ndër diferencat më të mëdha është ajo mes Riselda Sejdisë dhe biznesmenit Hajdin Sejdija, të cilët kanë rreth 33 vite diferencë në moshë. Riselda, e njohur për angazhimin e saj në fushën e artit dhe baletit, ka folur publikisht për martesën dhe jetën familjare. Çifti ka një djalë, Brahimin, ndërsa ajo ka theksuar se diferenca në vite nuk ka ndikuar negativisht në marrëdhënien e tyre.

Në këtë listë përfshihet edhe kantautori Gjergj Leka, i cili është më shumë se 20 vite më i madh se bashkëshortja e tij, Erisela Marko. Artisti i njohur shqiptar ka ndërtuar jetën familjare me Eriselën, e cila punon si pedagoge.

Një nga çiftet më të njohura të muzikës shqiptare, Sinan Hoxha dhe Andrra Destani, kanë rreth 20 vite diferencë. Ata janë njohur rastësisht në një qendër tregtare në Dortmund të Gjermanisë, kur këngëtari ishte 38 vjeç dhe Andrra 18. Pas një lidhjeje rreth dyvjeçare, ata zyrtarizuan fejesën në fillim të vitit 2015. Sot janë prindër të dy djemve, Ansit dhe Ayanit.

Listën e plotësojnë Diola Dosti dhe biznesmeni Erolld Belegu, të cilët kanë 21 vite diferencë në moshë. Ata u njohën në mars të vitit 2024, gjatë një koncerti të Vesa Lumës, ku rastësisht u ulën pranë njëri-tjetrit. Marrëdhënia e tyre u bë publike në rrjetet sociale dhe më pas erdhi edhe propozimi për martesë. Të dy kanë fëmijë nga marrëdhëniet e mëparshme dhe kanë folur për rëndësinë e mirëkuptimit dhe mbështetjes në çift.

Pavarësisht komenteve dhe paragjykimeve që mund të shoqërojnë marrëdhënie të tilla, historitë e këtyre personazheve tregojnë se përputhja mes dy njerëzve nuk përcaktohet domosdoshmërisht nga diferenca në moshë.
