Lajme

SHBA dhe Kina bien dakord të rifillojnë dialogun ushtarak

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina kanë rënë dakord të rifillojnë dialogun ushtarak, në një përpjekje për të ulur tensionet mes dy vendeve.

“Ne i jemi kthyer komunikimeve të drejtpërdrejta, të hapura dhe të qarta,” tha Biden pas takimit që zhvilloi dje me presidentin e Kinës Xi Jinping në Kaliforni.

Ky ishte takimi i parë në një vit, që dy liderët zhvilluan ballë për ballë. Biden theksoi se dy vendet synojnë të stabilizojnë marrëdhëniet e tyre të tensionuara.

“Unë mendoj se është e rëndësishme që ju dhe unë ta kuptojmë njëri-tjetrin qartë, drejtpërdrejt, pa keqkuptime apo keqkomunikime. Ne duhet të sigurohemi që konkurrenca të mos kthehet në konflikt”, citohet të ketë thënë Biden gjatë diskutimit me homologun kinez.

Takimi i dy udhëheqësve në prag të konferencës vjetore të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit, ka nënkuptime të gjera për një botë që po përballet me probleme ekonomike, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Evropë, tensionet në Tajvan dhe më gjerë. Ata arritën marrëveshje të pritshme për të frenuar prodhimin e paligjshëm të fentanilit dhe për të rivendosur lidhjet ushtarake, tha një zyrtar i lartë amerikan pas përfundimit të takimit.

Shumë nga kimikatet e përdorura për prodhimin e fentanilit sintetik vijnë nga Kina dhe përdoren nga kartelët që e trafikojnë lëndën e fuqishme narkotike në Shtetet e Bashkuara, e cila po përballet me një krizë mbidoze.

Kujtojmë se Kina ndërpreu komunikimin ushtarak me SHBA-të vitin e kaluar pasi kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, vizitoi Tajvanin. Pekini e konsideron Tajvanin e vetëqeverisur si territorin e tij dhe ka kërcënuar ta aneksojë me forcë nëse është e nevojshme.

Dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu edhe për konfliktin në Izrael dhe Gaza. Një zyrtar i lartë amerikan u tha gazetarëve se Biden i ka kërkuar Kinës që të përdorë ndikimin e saj me Iranin për ta nxitur atë të mos ndërmarrë hapa që mund të shihen si provokokative, raporton BBC.

Dy superfuqitë ranë dakord gjithashtu të shqyrtojnë së bashku çështjen për inteligjencën artificiale (AI). Ata theksuan gjithashtu urgjencën që të dy vendet të trajtojnë ndryshimet e klimës.