
3
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë, njoftoi të premten Ambasada amerikane në Prishtinë.
Në një njoftim në rrjetet sociale, Ambasada tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.
Deklarata e Ambasadës në Prishtinë për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën 12 shtator 2025
Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar pa afat Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e qeverisë kujdestare, të cilat kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.
Ne mbetemi të përkushtuar për të avancuar interesat e përbashkëta mes Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një synim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për mirëqenien e përbashkët ekonomike.
Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të Kryeministrit kujdestar Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite.
Dialogu strategjik ishte parashikuar të forconte lidhjet ekonomike dhe diplomatike për përfitimin e popullit amerikan dhe atij kosovar. Ne shpresojmë t’i rikthehemi këtyre përpjekjeve në të ardhmen, kur të jetë e përshtatshme. Ne e dimë që ky është një synim që ka prioritet për popullin e Kosovës.