Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia do të kryejë “operacione të informacionit”, që do të kenë për qëllim të kthejnë opinionin në Evropë kundër Ukrainës, përderisa disa shtete në mbarë kontinentin do të mbajnë zgjedhje këtë vit.
Zgjedhje do të mbahen në Bashkimin Evropian, në Britani, Austri, Maqedoni të Veriut e Gjeorgji. Ndërkaq, Ukraina ende nuk ka vendosur nëse do të mbajë zgjedhjet, që ishin paraparë më herët të mbaheshin më 2024.
James Rubin, i dërguari i posaçëm dhe koordinator në Qendrën Globale të Angazhimit të Departamentit amerikan të Shtetit, u tha gazetarëve më 18 janar, se kundërshtari i SHBA-së, Rusia, por edhe Kina, po punojnë në mbarë botën për të paraqitur propagandën e tyre shtetërore si gazetari të pavarur, duke fshehur burimin e vërtetë.
Rubin nuk përmendi në mënyrë specifike emrat e shteteve për të cilat ai shprehu shqetësim. Megjithatë, ai tha se kërcënimet kryesore gjatë këtij viti janë në Evropë, e cila në fillim të luftës së Rusisë kundër Ukrainës më 2022 ishte bashkuar kundër luftës dhe ka ofruar ndihmë ushtarake dhe ndihmë tjetër për Ukrainën.
“Rusia po shpreson se numri i madh i zgjedhjeve në Evropë këtë vit mund ta ndryshojë atë që ka qenë një koalicion i jashtëzakonshëm dhe një kundërshtar i disiplinuar i luftës së tij”, tha Rubin.
“Ne besojmë se rusët do të kryejnë operacione të informacionit në mbarë Evropën për të tentuar që të ndryshojnë opinionin ndaj Ukrainës gjatë këtij sezoni zgjedhor”, shtoi ai.
Ambasada ruse në Uashington nuk ka komentuar menjëherë këtë deklaratë të James Rubinit.
Qendra Globale e Angazhimit, që ka për detyrë të ekspozojë fushatat e huaja të dezinformimit, vitin e kaluar tha se kishte zbuluar përpjekje të financuar nga rusët në mbarë Amerikën Latine. Këto përpjekje synonin të ushqenin me propagandë dhe dezinformata mediat lokale.
Atëbotë, Rusia i cilësoi si të pabaza këto pretendime.
Vitin e kaluar, në një vlerësim të deklasifikuar të inteligjencës, që iu dërgua mbi 100 qeverive, u tha se Moska po përdor spiunët, mediat sociale dhe mediat shtetërore ruse për të ulur besimin e publikut në integritetin e zgjedhjeve demokratike./Marre nga REL/
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo