Lajme

Shefi i NATO-s 4 ditë në Ballkan, shmang Shqipërinë dhe fton Ramën në Maqedoni

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të jetë nga e diela për një vizitë katër ditore në Ballkanin Perëndimor, ku në fokus pritet të jenë bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, por dhe vendet e tjera të rajonit.

Këtë vizitë, Stoltenberg do ta fillojë të dielën në Bosnjë e Hercegovinë, ku do të ketë një darkë pune me anëtarët e Presidencës dhe më pas do të udhëtojë drejt Kosovës.

Sipas njoftimit të publikuar nga NATO, shefi i Aleancës Ushtarake më të madhe të globit do të qëndrojë në Kosovë të hënën, ku do të takohet me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti. Ai do të vizitojë edhe Kampin e KFOR “Nothing Hill”, ku do të takohet me Komandantin  dhe do t’ju adresohet trupave atje.

Të martën, më 21 nëntor, Jens Stoltenberg do të jetë në Beograd, ku do të ketë takime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministren Ana Brnabiç.

Më vonë atë ditë, Sektretari i Përgjithshëm i NATO do të udhëtojë në Maqedoninë e Veriut për t’u takuar me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Ai do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe do të mbajë një fjalim para Kuvendit.

Të mërkurën, më 22 nëntor, Jens Stoltenberg do të marrë pjesë në një takim me liderët aleatë nga rajoni. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq dhe kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, janë ftuar të marrin pjesë, thuhet në njoftimin e NATO-s.

Referuar agjendës publike, Sekretari i Përgjithshëm nuk do të ketë një vizitë në Tiranë, por do të takohet me Ramën dhe të tjerët në Maqedoninë e Veriut.

Agjenda e vizites kater ditore te shefit te NATO-s ne Ballkanin Perëndimor
Agjenda e vizites kater ditore te shefit te NATO-s ne Ballkanin Perëndimor